Skip to content Skip to footer

Drejtuesit e bibliotekës ndër vite

Përgjatë gjithë viteve të egzistencës së saj në bibiotekën “Qemal Baholli” kanë dhënë kontributin e tyre njerëz të përkushtuar që e kanë mirëmbajtur dhe pasuruar bibliotekën në mënyrë të vazhdueshme. Një rol të rëndësishëm kanë luajtur drejtuesit e kësaj biblioteke në vite secili prej të cilëve, së bashku me stafin e tyre kanë ngritur mbi gurët e vendosur në themel dhe punës së paraardhësve, nivelin e bibliotekës dhe shërbimit të komunitetetit.

2022 –

Manjola Hatellari

Drejtoresha aktuale e bibliotekës

Lindur në Elbasan. Pas mbarimit të studimeve në Universitetin e Tiranës dega rusisht më 1986, fillon punë në bibliotekën e qytetit. Krahas shërbimit të koleksioneve bibliotekare është marrë me pasurimin e kartotekës krahinore. Në 1992 – 1994 mbaron shkollën 2-vjeçare të bibliotekonomisë; në 2003 është trajnuar në bibliotekën Komunale Centrale të Milanos dhe në vitet 2009 – 2011 kreu studimet e nivelit Master Shkencor në degën Bibliotekonomi, pranë Fakultetit Histori – Filologji në Universitetin e Tiranës. Prej vitit 2000 e në vazhdim ka mbajtur pozicionin e klasifikatores, vend që kërkon përgatitje të lartë profesionale dhe përkushtim. Ka përpiluar një sërë bibliografish me tematika të ndryshme dhe ka marrë pjesë në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare të organizuara në Prishtinë, BK Tiranë, Akademinë e Shkencave, Universiteti A. Xhuvani dhe institucione të tjera.
https://bibliotekaelbasan.com/wp-content/uploads/2022/08/manjola_hatellari-1-768x512.jpg

2015-2022

Aida Gashi

Drejtore e bibliotekës në periudhën 2015-2022

Lindur dhe arsimuar në Elbasan, pasi përfundon studimet e ciklit 2 vjeçar master, dega Trashëgimi Kulturore, emërohet drejtuese e bibliotekës. Gjatë këtyre viteve, vijoi kualifikimi i vazhdueshëm i punonjëseve jo vetëm pranë Bibliotekës Kombëtare, por edhe në projekte ndërkombëtare që do të shërbejnë për lidhjen në rrjetin e gjerë mbarë kombëtar të bibliotekave, me sistemin e njohur Cobiss. Është punuar për afirmimin e autorve të rinj të qytetit. Një vend të rëndësishëm zënë aktivitetet për promovimin e autorëve elbasanas dhe të të gjithë Shqipërisë, si pjesë e nismave të Ministrisë së Kulturës.

https://bibliotekaelbasan.com/wp-content/uploads/2022/08/IMG_2096-wpp1661874359507-768x704.jpeg

2000-2015

Drita Cankja

Drejtore e bibliotekës në periudhën 2000-2015

Lindi në Elbasan. Kreu studimet e larta për gjuhë – letërsi. Ka kryer dhe studimet e masterit shkencor në fushën e bibliotekonomisë në Tiranë. Pas një pune disavjeçare si arsimtare bëhet pjesë e stafit të bibliotekës që nga viti 1989. Gjatë kohës së saj si drejtuese, kur tashmë kishte ndryshuar dhe koncepti për bibliotekat e mbyllura duke shkuar drejt “bibliotekës pa mure”, është bërë një punë e madhe për kualifikimn e punonjëseve dhe implementimin e modeleve bashkëkohore të shërbimit dhe informacionit në bibliotekë. Njëherazi, me imazhin e saj vizionar për bibliotekën, duke u përkrahur dhe nga bashkia Elbasan dhe fondacione të ndryshme, u bënë përpjekje pa fund të cilat u kurorëzuan me rikonstruktimin e godinës së bibliotekës dhe përftimit të një shtese në sipërfaqe, kaq e domosdoshme për fondin e bibliotekës por dhe për kërkesat gjithmonë në rritje të komunitetit. Në bashkëpunim me koleget,  nën orientimin e saj, janë botuar një sërë librash profesionalë me vlera për komunitetin dhe bibliotekën. I një rëndësie të veçantë është dhe binjakëzimi me bibliotekën komunale të Prizrenit, bashkëpunim që vijon edhe sot. Vlen të përmenden dhe takimet me autorë të përmasave kombëtare të cilët zgjodhën bibliotekën tonë për të promovuar botimet e tyre më të fundit. Hodhi hapat e parë për digjitimin e materialve bibliotekare, duke filluar me “Kopshtin letrar” dhe gjithë periodikun elbasanas të periudhës para vitit 1944.

https://bibliotekaelbasan.com/wp-content/uploads/2022/08/IMG_2098-wpp1661876094167-768x609.jpeg

1991-2000

Kujtim Bevapi

Drejtor i bibliotekës në periudhën 1991-2000

Lindur në Elbasan dhe arsimuar në Tiranë në degën gjuhë – letërsi. Ka punuar që prej 1973 si punonjës biblioteke, më pas bibliograf – klasifikator dhe ka botuar disa bibliografi të karakterit tekniko – shkencor. Gjatë viteve të tij si drejtues, ka marrë pjesë në një sërë veprimtarish kombëtare e ndërkombëtare apo seminare në lidhje ma automatizimin, kompjuterizimin dhe menaxhimin e fondeve të bibliotekës. Ka qenë anëtar i Këshillit Botues të revistës “Bibliotheka”, organ i BK. Ka drejtuar projektin 3 – vjeçar të bashkisë së qytetit “Elbasani – histori dhe aktualitet, vlerë dhe traditë’, i cili përfundoi me veprën “Elbasani – Enciklopedi” duke qenë drejtues i redaksisë së përgjithshme të kësaj vepre. Është autor i disa monografive, teksteve msimore, studimeve të botuara brenda dhe jashtë vendit si dhe i kumtesave të mbajtura në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare.

https://bibliotekaelbasan.com/wp-content/uploads/2022/08/IMG_2097-wpp1661874391191-768x666.jpeg

1984 – 1991

Pranvera (Lisi) Duli

Drejtore e bibliotekës në periudhën 1984 – 1991

Lindi në Elbasan. Kreu studimet e larta për gjuhën ruse  në Tiranë. Pas një pune si arsimtare dhe përkthyese, merr drejtimin e bibliotekës së qytetit. Në këtë kohë, në varësi të bibliotekës ishin biblioteka e lagjes “Vullnetari” dhe “Biblioteka e shtëpisë së pionerit”. Gjatë viteve që drejtoi bibliotekën, është bërë një punë intensive për propagandimin e librit, përpunimin e tij mbi baza shkencore, aktivitete masive brenda dhe jashtë bibliotekës, seminare, konkurse, punë metodike për kualifikimin e punonjësve, punë shkencore bibliografike. Krahas këtyre është punuar vazhdimisht me bibliotekat e shkollave, shtëpive dhe vatrave të kulturës, duke i ndihmuar nga ana metodike, ngritjen dhe pasurimin e tyre.

https://bibliotekaelbasan.com/wp-content/uploads/2022/08/IMG_2090-wpp1661874142904-768x691.jpeg

1976-1984

Besa (Duhanxhiu) Simitçiu

Drejtore e bibliotekës në periudhën 1976 – 1984

Lindi në Elbasan nga një familje arsimdashëse. Kreu studimet e larta në Tiranë për frëngjisht. Përpara se të merrte drejtimin e bibliotekës, punonte 1 ditë në javë pranë bibliotekës për hartimin e një bibliografie të anotuar me temë; “Të huajt për Shqipërinë dhe shqiptarët”. Më pas, gjatë viteve si drejtuese, u lidh me Bibliotekën Kombëtare për kualifikimin e punonjësve të bibliotekës nëpërmjet shkollës 2-vjeçare pranë BK. Me vullnetin e saj, u ngrit për herë të parë Kartoteka Krahinore puna e të cilit vijon akoma edhe sot.

https://bibliotekaelbasan.com/wp-content/uploads/2022/08/IMG_2092-wpp1661874440394-768x696.jpeg

1972 – 1976

Shpëtim Karaj

Drejtor i bibliotekës në periudhën 1972 – 1976

Lindi në Elbasan. Kreu studimet e larta për gjuhë – letërsi në Tiranë. Kishte njohuri të gjuhëve të huaja, si italisht, rusisht, frëngjisht. Pas një eksperience si profesionit i shkëlqyer në disa biblioteka të Shqipërisë ku kishte kontribuar për ngritjen dhe pasurimin e tyre sipas parametrave bibliotekare, emërohet drejtor në bibliotekën e Elbasanit. Gjatë viteve që punoi dhe më pas drejtoi bibliotekën e Elbasanit, ai realizoi përpunimin e plotë shkencor të të gjithë literaturës në gjuhë të huaj dhe shqip si dhe krijoi skedarët alfabetikë dhe sistematikë të bibliotekës.

https://bibliotekaelbasan.com/wp-content/uploads/2022/08/IMG_2094-wpp1661874057777-768x780.jpeg

1971 – 1972

Mynever Zaimi

Drejtore e bibliotekës në periudhën 1971 – 1972

Lindi dhe u arsimua në Elbasan, në normalen e qytetit e me pas në Institutin e Lartë me rezultate të shkëlqyera. Njihej për shpirtin e saj artistik, gjë të cilën e reflektoi në krijimtari letrare dhe në interpretime në skeçe e drama të ndryshme. Ka qenë mësuese e gjuhës shqipe dhe letërsisë duke u shquar për nivelin e lartë të mësimdhënies plot pasion dhe si drejtuese në Shtëpinë e Fëmijës, Shtëpinë e Pionerit, Bibliotekën e rrethit. Gjatë kohës që drejtoi bibliotekën, ka blerë me paratë e veta “Çeta e Profetëve” të Bogdanit në origjinal dhe setin e plotë të Enciklopedisë së Madhe Ruse, të cilët dhe sot janë pjesë e fondit të bibliotekës.

https://bibliotekaelbasan.com/wp-content/uploads/2022/08/IMG_2086-wpp1661873986828-768x717.jpeg

1968 – 1971

Fatush Vyshka

Drejtore e bibliotekës në periudhën 1968 – 1971

Ardhur në bibliotekë pas një eksperince si arsimtare, për Fatushin, puna në bibliotekë ishte si një shkollë e dytë. E dalluar për përkushtimin, kuriozitetin dhe seriozitetin në punë, ajo i mësoi shumë shpejt të fshehtat dhe kënaqësitë e punës në bibliotekë. Gjatë drejtimit të saj, me ndihmën dhe të kolegëve të vyer, përfundoi sistemimi, përpunimi dhe vendosja sipas shkencës bibliotekare i fondit të albanologjisë, fond ky i një rëndësie të veçantë për bibliotekën tonë.

https://bibliotekaelbasan.com/wp-content/uploads/2022/08/IMG_2087-wpp1661873845907-768x741.jpeg

1966 – 1968

Naxhije Gjorga

Drejtore e bibliotekës në periudhën 1966 – 1968

Mësimet e para i mori në qytetin e sj të lindjes, Elbasan. Ka qenë e angazhuar vazhdimisht në veprimtaritë për edukimin e grave dhe të brezit të ri. Gjatë drejtimit të bibliotekës, dalloi për punën e vazhdueshme që bëri për nxjerrjen në pah të vlerave të bibliotekës dhe afrimin e lexuesve të rinj në bibliotekë.

https://bibliotekaelbasan.com/wp-content/uploads/2022/08/IMG_2088-wpp1661873004627-768x776.jpeg

1964 – 1966

Thanas Gjergj Konomi

Drejtor i bibliotekës në periudhën 1964 – 1966

Mësimet e para i mori në Labovë, në vendin e tij të lindjes, e më pas në Normalen e Elbasanit. Ishte njohës i greqishtes së vjetër e të re, italishtes, anglishtes dhe rusishtes. Ndërkohë që ishte Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, krijoi një bërthamë muzeale për Elbasanin, në varësi të shtëpisë së Kulturës. Më pas, mori postin e Drejtorit të Muzeut të Elbasanit. Në 1964 del në pension, por e thërresin dhe tashmë e emërojnë drejtor të bibliotekës, për nevoja urgjente dhe eksperience. Gjatë kohës që punoi në bibliotekë, bëri një punë shumë të mirë në propagandimin e librit si dhe afrimin e lexuesve në bibliotekë.

https://bibliotekaelbasan.com/wp-content/uploads/2022/08/IMG_2106-e1661873912311-768x718.jpeg

1962 – 1964

Leonora (Topuzi) Shehu

Drejtore e bibliotekës në periudhën 1962 – 1964

Lindi në Elbasan. Studimet e larta i kreu në Institutin Pedagogjik të Shkodrës. Ka marrë pjesë aktive në jetën kulturore dhe sportive të qytetit të Elbasanit. Gjatë drejtimit të bibliotekës, në bashkëpunim me shkollat e qytetit, është dalluar për punën e palodhur që ka bërë për propagandimin e librit dhe rritjen e numrit të lexuesve dhe frekuentueve të bibliotekës.

https://bibliotekaelbasan.com/wp-content/uploads/2022/08/IMG_2100-wpp1661867982952-768x891.jpeg

1960- 1962

Haki Orhan Tepelena (Mahmutaj)

Drejtor i bibliotekës në periudhën 1960- 1962

Lindi në Tepelenë. Me ndihmën e të afërmve të familjes, vjen në Elbasan dhe vijon studimet në shkollën Normale të cilat i përfundon me rezultate të shkëlqyera. Gjatë vitëve që ishte drejtor u dallua për pasionin, përkushtimin dhe seriozitetin në punë. Në këtë periudhë, biblioteka u pasurua me një sërë librash të grumbulluar nga familjet e ndryshme elbasanase. Nën drejtimin e tij është bërë një punë shumë e madhe për inventarizimin dhe indeksimin e këtyre materialeve.

https://bibliotekaelbasan.com/wp-content/uploads/2022/08/IMG_2101-wpp1661867834114-768x714.jpeg

1959-1960

Agron Frashëri

Drejtor i bibliotekës në periudhën prill – shtator 1960

Lindi në korçë. Studimet e larta i kreu në Francë. Falë përgatitjes së tij, ka patur gjithmonë poste drejtuesë të institucioneve të rëndësishme në vend. Gjatë kohës që drejtoi bibliotekën, ka dhënë kontribut të madh në propagandimin e librit dhe shtimin e numrit të lexuesve. Ish nxënësit e tij e mbajnë mend si profesorin që përpiqej t’u fuste në gjak të mësuarin e gjuhës frënge dhe pasionin për librin dhe leximin.

https://bibliotekaelbasan.com/wp-content/uploads/2022/08/IMG_2091-wpp1661867737794-768x699.jpeg

1957 – 1959

Behexhet Çerma

Drejtor i bibliotekës në periudhën 1957 – 1959

Lindi në Elbasan. Arsimin e kreu në Normalen e qytetit dhe një pjesë të studimeve i vijoi jashtë shtetit. Ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Gjatë punës në bibliotekë, Behexheti ka lënë materiale në formë raporti të cilat në mënyrë të detajuar tregonin për punën që bënte biblioteka në lidhje me aktivitetet, seminaret, propagandimin e librit dhe të shtypit, si dhe për mirëmbajtjen, administrimin dhe sistemimin e materialeve bibliotekare.

https://bibliotekaelbasan.com/wp-content/uploads/2022/08/IMG_2093-wpp1661867605936-768x659.jpeg

1951 – 1957

Qamil (Çelirama) Çela

Drejtor i bibliotekës në periudhën 1951 – 1957

Lindi dhe u arsimua në Elbasan. I mbrujtur me ndjenja atdhedashurie dhe ide përparimtare, ishte pjesë e elitës së kohës. Zotëronte 4 gjuhë të huaja: frëngjisht, italisht, turqisht dhe rusisht. Kontributi i tij në bibliotekën e qytetit ka qenë dinjitoz. Ai krijoi marëdhënie shumë të mira me intelektualët, të cilëve u shërbeu me dijet dhe punën e tij.

https://bibliotekaelbasan.com/wp-content/uploads/2022/08/IMG_2095-wpp1661867485893-768x763.jpeg

1949 – 1951

Qemal Murati

Drejtor i bibliotekës në periudhën 1949 – 1951

Lindi në Elbasan. Ka punuar gjtihmonë me librin, magazinimin dhe shpërndarjen e tij. Gjatë kohës që ai ishte drejtor,filluan të krijoheshin skedarët e parë dhe biblioteka e Elbasanit renditej ndër më të mirat në vend, me një fond prej 45000 librash.

https://bibliotekaelbasan.com/wp-content/uploads/2022/08/IMG_2085-wpp1661867386457-768x754.jpeg

1948 – 1949

Ilo Ballto

Drejtor i bibliotekës në periudhën 1948 – 1949

Lindi në Voskopojë, në “kryeqytetin e librave”. Gjatë kohës që ishte drejtor, vijoi studimet në shkencat humane, dega juridik të cilat i mbaroi me rezultate të shkëlqyera. Megjithëse qëndroi pak si drejtues, ai kujtohet për mençurinë, urtësinë dhe idetë e tij liberale.

https://bibliotekaelbasan.com/wp-content/uploads/2022/08/IMG_2084-wpp1661867269346-768x781.jpeg

1938 -1947

Mahmud Z. Bordi

Drejtor i bibliotekës në periudhën 1938 -1947

Lindi në Elbasan. Studioi në Liceun e Korçës, ku krahas mësimeve studionte dhe letërsi përparimtare botërore, gjë që ndikoi tek ai në formimin intelektual. Mahmud Bordi ishte njeri me personalitet. Kishte një horizont të gjerë; ishte i ditur dhe pasionant për librin; zotëronte gjuhën frënge dhe italiane. Njihte shumë mirë shkencat ekzakte, letërsinë, historinë, gjeografinë. Pas mbarimit të Liceut, kthehet në Elbasan dhe emërohet drejtor i bibliotekës. Gjatë kohës që punoi në bibliotekë dha një ndihmesë të veçantë në klasifikimin e librit të huaj dhe atij vendas.

https://bibliotekaelbasan.com/wp-content/uploads/2022/08/IMG_2082-wpp1661866998430-768x693.jpeg

1934 -1938

Ibrahim Laçi

Drejtor i bibliotekës në periudhën 1934 -1938

Drejtori i parë i bibliotekës. Për merita të vecanta intelektuale, Ministri i Arsimit të asaj kohe z. Mirash Ivanaj e emëroi drejtor të bibliotekës së Elbasanit. Ai vinte nga një eksperiencë e pasur pune, si drejtor i bibliotekës se ” Djelmërise” së Korçës. Gjatë kohës që drejton bibliotekë, krijon lidhje dhe korrespondenca me personalitete të ndryshme për pasurimin e bibliotekës me libra…Duke iu referuar korrespodences së kohës, shikojmë përkushtimin e tij dhe dashurinë për punën dhe librin…

https://bibliotekaelbasan.com/wp-content/uploads/2022/08/IMG_2081-wpp1661866923939-768x696.jpeg
[bold_timeline_item_button title=”Expand” style=”” shape=”” color=”” size=”inline” url=”#” el_class=”bold_timeline_group_button”]