Skip to content Skip to footer

89 vjet bibliotekë

Sot në datën 21 korrik 2023, ditën e inaugurimit të bibliotekës, u zhvillua një takim për të kujtuar, nderuar, vlerësuar dhe respektuar famijen Baholli, e cila i bëri dhuratën më të bukur qytetit tonë, Bibliotekën Publike “Qemal Baholli”. Kjo bibliotekë ka shërbyer gjithmonë si një udhërrëfyes i zhvillimit kulturor dhe arsimor i qytetit tonë, si një vend i dijes dhe i shkencës për të qenë dhe një institucion i zhvilluar me parametra perëndimore. Në këtë takim morën pjesë pasardhës të familjes Baholli, si Arta Morina dhe Kujtim Baholli, si dhe dashamirës dhe miq të bibliotekës.
Më poshtë, është fjala e hapjes e drejtoreshës së bibliotekës, znj. Manola Hatellari.

Elbasan, 21.07.2023

Biblioteka Publike “Qemal Baholli” Elbasan

Të nderuar pjesëmarrës, të nderuar miq, të ftuar, intelektualë, dashamirës dhe bashkëpunëtorë të bibliotekës!

Jemi mbledhur sot në këtë datë historike të mbarimit të punimeve të kësaj biblioteke më 21 korrik 1934, për të kujtuar, nderuar, vlerësuar, respektuar të gjithë intelektualët elbasanas që mundësuan ngritjen dhe funksionimin e këtij institucioni kulturor që qe udhërrëfyesi i zhvillimit kultutror dhe arsimor të qytetit të Elbasanit, vend i dijes dhe i shkencës “për të qenë edhe një vend i zhvilluar me parametra perëndimore”. Ju falendëroj të gjithëve që në këto ditë të nxehta të korrikut zgjodhët të festonit bashkë me ne përvjetorin e shënuar të themelimit të kësaj biblioteke…

Rreth viteve ’30 të shëkullit të kaluar, në tërë Shqipërinë po bëhej propagandë për ngritjen e bibliotekave publike duke i konsideruar ato gur themeli për zhvillimin dhe përparimin e kombit. Në këto vite është ngritur dhe biblioteka jonë, e cila është vepër bamirësie e familjes së të ndjerit Nazif Baholli, patriot i ardhur nga Dibra dhe vendosur në Elbasan rreth viteve 1880. Më 1 dhjetor 1929, ndërron jetë një nga djemtë e ti, Qemali, ish nxënës në klasën e pjekurisë në Liceun e Korçës. Ja si shkruan në librin e tij të fundit Dhimitër Shuteriqi “Fletë nga jeta ime”, fq. 241: “Elbasanas ishim disa në Lice. Qemal Baholli, më i madhi në moshë nuk banonte në internat. Ai kishte mbaruar Normalen dhe deshi të mbarojë dhe Liceun, ku shkëlqeu në të tëra, me një punë të jashtëzakonshme, duke arritur e kaluar shokët, por që jeta e mori shpejt”. Në kujtim të të birit, Nazifi, si patriot me ide përparimtare, pati idenë të ngrinte në Elbasan një vepër kulturore, një bibliotekë publike, duke e emërtuar me emrin e të birit “Qemal Baholli”. Në fillim bleu nga Bashkia e qytetit truallin ku do të ngrihej ndërtesa, me një shumë prej 800 napolona ar. Për ngritjen e bibliotekës ka shpenzuar para nga pasuria e familjes. Kryesia e “Klubit të intelektualëve” të qytetit e falënderoi publikisht Nazifin për këtë akt, duke siguruar simpati dhe respekt… Për fat të keq, Nazifi vdiq shpejt dhe veprën e tij e vijuan dy djemtë e tjerë, Hyqmeti dhe Nazmiu, të cilët patën përkrahjen e plotë të Bashkisë, të autoriteteve lokale dhe jo vetëm, por edhe të familjeve intelektuale elbasanase. Krahas shumë familjeve elbasanase, do të veçoja këtu përkrahjen dhe kontributin e familjes së Sul Domit. Themelet u hodhën në vitin 1931 dhe mbaruan më 1934. Për një vit u bë pasurimi me libra, pwr tw cilwn ndihmoi përsëri familja Baholli (e cila shpenzoi edhe 2000 franga për blerje librash), familjet elbasanase, intelektualë të qytetit, ambasadat e huaja të akredituar në vendin tonë dhe veçanërisht Oborri Mbretëror. Në fondet e saj, fillimisht u futën 1000 materiale bibliotekare. Festa e përurimit u organizua më 21 korrik 1934. Biblioteka Publike iu dorëzua bashkisë duke e bërë një institucion publik në shërbim të zhvillimit kulturor të Elbasanit. Shiritin e përurimit e preu përfaqësuesi i Oborrit Mbretëror z. Xhafer Ypi. Prej datës së inaugurimit, biblioteka merr titullin “Biblioteka Qemal Baholli”. Kjo bibliotekë është ndër të parat biblioteka institucionale në Shqipëri.

Në bibliotekën tonë, që në fillimet e saj e deri më tani kanë hyrë rreth 200000 vëllime libra e periodikë. Biblioteka “Qemal Baholli” radhitet ndër bibliotekat më të pasura të vendit me literaturën orientale, me fondin e periodikut të vjetër dhe mbi të gjitha me fondin me vlera të veçanta të albano-ballkanologjisë. Bërthama e fondit të albanologjisë është nga biblioteka përsonale e z. Lef Nosi.

Periodikun më të vjetër kemi revistën “Fiamuri i Arbrit” i De Radës i vitit 1883, që pasohet nga “Albania” e Konicës, “Dituria” e Lumo Skëndos, “Dielli”, “Vëllazënija”. Libri më i vjetër i këtij fondi është libri në gjuhën latine me titull “Luftrat iliro – romake” shkruar nga historiani greko – latin Aleksandër Appiani, botuar në Venecia në vitin 1526. Ndërsa librin më të vjetër në gjuhën shqipe kemi “Doktrina e Krishterë” përkthyer nga Pjetër Budi, ribotim i vitit 1664.

Gjatë gjithë egzistencës së saj, Biblioteka Publike Elbasan është dëshmitare e një historie përpjekjesh e angazhimesh e të gjithë stafit të saj ndër vite për ruajtjen, pasurimin dhe vënien në përdorim të gjithë dijes dhe informacionit të grumbulluar ndaj komunitetit, jo vetëm elbasanas por edhe më gjerë.

Në biblotekën tonë kanë studiuar dhe janë formësuar ndër vite personalitete të fushave të ndryshme të shkencës. Ndër to mund të përmendim akademikët, si: Aleksandër Xhuvani, Aleks Buda, Mahir Domi, Kostaq Cipo, Shyqyri Demiri, Ylli Popa, Neritan Ceka, Dhimitër Shuteriëi, Mehmet Gjevori, Mehmet Çeliku etj.

Sot, në prag të 90 – vjetorit të saj, kohë kur teknologjia e informacionit po avancon me hapa gjigande, stafi i bibliotekës me përpjekjet e tij dhe në bashkëpunim me drejtoritë e shkollave të qytetit, po afron lexuesit, sidomos ato të moshave të ulta shkollore drejt librit, duke organizuar evente të ndryshme. Fatmirësisht, zhvillimi i teknologjisë dhe tradita ecin paralelisht duke mbështetur njëra-tjetrën. Viizioni për bibliotekat sot është të krijojë bibliotekat pa mure, ku secili nga ne të kërkoje dhe shfrytëzojë materialet bibliotekare nga shtëpia apo kudo ndodhet. Kjo arrihet vetëm nëpërmjet digjitalizimit të plotë të fondeve të bibliotekës, projekt ky që tashmë ka filluar me ndihmën e ACDA dhe Bashkisë dhe që do vazhdojë në të ardhmen.

Sot, mund të themi me bindje se biblioteka jonë, duke zotëruar një pasuri vlerash të veçanta, mund të shërbejë si një qendër kërkimore – shkencore për të gjithë studiuesit, pedagogët apo dashamirësit e librit për studimet e tyre të thelluara dhe krahasuese. Duke nisur nga sa thamë më lart, i bëj thirrje bashkëqytetarëve të mi të afrojnë fëmijët dhe rininë drejt bibliotekave sepse ato janë e ardhmja e këtij vendi dhe sepse në raftet e kësaj biblioteke ato do të gjejnë gjithçka që i duhet për formimin shkencor dhe kulturor në shërbim të mirëqënies së përbashkët. Dhe mbi të gjitha biblioteka publike është kujtesa lokale dhe pa kujtesë nuk ka qytetërim, shoqëri, identitet dhe të ardhme. Faleminderit!

Manjola Hatellari

Leave a Reply