Skip to content Skip to footer

Biblioteka “Qemal Baholli” është bibliotekë publike në qytetin e Elbasanit. Është përuruar më 21 korrik 1935. Është ndërtesa e parë institucionale në shtetin shqiptar, sot institucion bibliotekë, qendër kulturore kryesore e komunitetit dhe një qendër e rëndësishme studimore e kërkimit shkencor. Detyra e saj është të ruajë dhe të koleksionojë trashëgiminë kulturore të shkruajtur të popullit shqiptar në përgjithësi dhe komunitetit elbasanas në veçanti.

Biblioteka ka një karakter të dyfishtë, shkencor dhe publik. Është qendër e depozitimit dhe ruajtjes së botimeve shqip, qendër bibliografike kryesore e komunitetit, qendër studimi në fushën e bibliotekës dhe shkencës së informacionit për bibliotekat e shkollave dhe bibliotekat e qarkut, qendër për edukimin bibliotekar dhe trajnimin profesional të komunitetit, qendër e katalogizmit për publikimin e librave të komunitetit në Elbasan, qendër e shërbimit të fondit Albano-Balkanoligjik, hyrja e lirë në informacionin e shpejtë të internetit për të gjithë përdoruesit pa dallim, qendra e digjitimit të vlerave të rralla. Biblioteka organizon aktivitete të shumta përgjatë vitit në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit.

Biblioteka publike “Qemal Baholli” Elbasan është vepër bamirëse e Nazif Bahollit, pronar i njohur në Elbasan. Në vitin 1930, një nga djemtë e tij, Qemali, nxënës në Liceun e Korçës, humbi jetën në moshë të re. Në përkujtim të të birit, Nazifi, si patriot i madh dhe përparimtar mendoi të ngrinte në Elbasan një vepër kulturore, bibliotekë publike, duke i vënë emrin e të birit: “Qemal Baholli”. Në fillim bleu nga bashkia e qytetit të asaj kohe truallin, ku do të ngrihej godina, me një shumë prej 800 napolona ari. Kryesia e “Klubit të Intelektualëve” të qytetit falënderoi publikisht Nazif Bahollin për këtë akt, duke siguruar respekt dhe simpati .”Për fat të keq, Nazifi vdiq shumë shpejt dhe veprën e tij e vijuan dy djemtë e tjerë, Hyqmeti dhe Nazmiu, të cilët patën përkrahjen e plotë të bashkisë dhe autoriteteve lokale. Lejen nga Ministria e Arsimit e dha vetë ministri Mirash Ivanaj, duke çmuar e falënderuar gjestin fisnik të vëllezërve Baholli, me një letër të veçantë. Shtypi i kohës shfaqi entuziazëm për këtë akt. Vendosja e gurit të parë në themele u bë me një ceremoni të veçantë, me fjalime nga mësuesit Vasil Llapushi, Mir Papajani dhe studenti Qamil Xhaja . Ky i fundit i bëri thirrje atdhetarisë, bujarisë së të kamurve të vendit, duke u kujtuar detyrën e shenjtë për të mos harruar popullin midis të cilit ishin rritur, kishin jetuar dhe midis të cilit ishin pasuruar. Mbas një periudhe rreth dyvjeçare, ndërtesa me një mjedis të jashtëm të gjelbëruar, ishte gati.

Vëllezërit Baholli vunë në dispozicion dhe 2000 franga ari për të blerë libra. Libra dhuruan edhe intelektualë të ndryshëm të qytetit, ambasadat e huaja të akredituara në vendin tonë dhe veçanërisht Oborri Mbretëror. Në fondet e saj fillimisht u futën 1000 materiale bibliotekare. Festa e përurimit u organizua më 21 Korrik 1935. Biblioteka Publike Qendrore iu dorëzua Bashkisë duke u bërë një institucion publik në shërbim të zhvillimit kulturor të Elbasanit. Shiritin e përurimit e preu përfaqësuesi i oborrit mbretëror Z. Xhaferr Ypi. Dreka e festës u shtrua në “Grand Hotel”. Drejtori i parë qe intelektuali Ibrahim Laçi. Ky intelektual vinte nga Biblioteka e Djelmërisë së Korçës. Si drejtues i këtij institucioni të rëndësishëm dhe si intelektual me eksperiencën e duhur, emërimi i tij në bibliotekën e Elbasanit ishte mjaft i rëndësishëm.

Këshilli i saj, apo siç quhej në atë kohë, Komisioni i Bibliotekës Publike Qendrore, drejtohej nga kryetari i bashkisë, Abdyl Dilaveri, me kryesinë e përbërë nga: Lef Nosi, Beqir Rusi, Tasim Myftiu, Hyqmet Baholli e Ibrahim Laçi. Këshilli i Bibliotekës siguronte të ardhura me ndihma nga donatorë të ndryshëm, intelektualë të spikatur shqiptarë, brenda e jashtë vendit. Ajo siguroi lidhje për të pasuruar fondet me përfaqësitë diplomatike shqiptare në botë. Krahas pasurimit me libra, Bibloteka rriste çdo ditë shërbimin ndaj lexuesve të qytetit dhe numrin e aktiviteteve të saj. Me ambiente e kushte të përshtatshme, lexuesit kërkuan, që orari i bibliotekës të zgjatej më shumë për frekuentuesit. Më pas në bibliotekë u vendosën dhe objekte muzeale, në një sallë të veçantë të fondit. Kështu që mbas vitit 1936, ky institucion mori emrin ” Biblioteka dhe Muzeu Qemal Baholli”.

Ende sot biblioteka mban emrin “Qemal Baholli”. Ajo radhitet ndër bibliotekat më të pasura të vendit për nga pasuria që zotëron. Mbas vitit 1945, fondi i saj u pasurua me bibliotekën albanologjike e balkanologjike, pronë e Lef Nosit. Fondi i Albano-Balkanologjisë shquhet jo vetëm për veprat e rralla, por edhe për koleksionet e fondit të periodikut të periudhës para luftës së dytë botërore. Biblioteka numëron rreth 200 000 libra e koleksione periodiku, në gjuhën shqipe e të huaj që kanë hyrë në bibliotekë që në themelimin e saj deri në ditën e sotme, pas 80 vjetësh, duke pasur parasysh edhe përdorimin e madh si dhe lidhjen e dobët të librave varion tek 164 000 libra. Fondi i Albanologjisë, Ballkanologjisë, periodikut të para Luftës II Botërore numëron mbi 15 000 libra e koleksione periodiku me vlerë. Gjatë viteve të tranzicionit biblioteka publike ruajti vlerat e saj.