Edgar Alan Poe, shkrimtari, poeti, kritiku, i njohur për tregimet dhe poezitë e tij të shkurtra evokuese, që rrëmbyen imagjinatën dhe interesin e mbarë lexuesve në të gjithë botën, lindi në Boston, #sisot më 19 janar 1809. Tregimet e tij imagjinare, rrëfimet e misterit psikologjik dhe tmerrit paraprinë historinë moderne të romanit policesk.
“Anabel Li” shqipëruar nga Noli, konsiderohet si poezia më e dhimbshme e dashurisë dhe vdekjes. Botuar në “New York Tribune” më 9 tetor 1849, dy ditë pas vdekjes së Poe, mendohet të jetë shkruar në kujtim të gruas së tij të re, Virxhinias, e cila vdiq në 1847. Poema shpreh një nga temat e përsëritura të Poe – vdekja e një gruaje të re, të bukur dhe shumë të dashur.
Annabel Lee
Ka shumë e shumë vjet
Në një vent afër në det,
Ish një vajzë që mundni ta njini tani
Nënë emërin Annabel Li;
Dhe kjo vajzë më donte edhe tjetër s’kërkonte
Vec ta deshja sikundër më desh.
Isha i vogël dhe ish e vogël në vjet
N’atë vent afër në det;
Po duheshim më tepër se me dashuri
Unë dhe imja Annabel Li;
Me një dashuri që edhe Engjëjtë lart në lavdi
Që të dyve na kishin zili.
Andaj, tani e shumë vjet,
Tek ky vent afër në det,
Fryri veriu nga ret’ e ma ngriu
Të bukurën Annabel Li;
Edhe motrat e saj engjëllesha
Ma rrëmbyen, ma mbyllën në varr se e desha,
Dhe kështu më la shendet
Nga ky vent afër në det.
Engjëjt që s’kishin sa në dashuri
Që të dyve na mbanin mëri.
Po përandaj, sic e dini vërtet,
Tek ky vent afër në det
Fryri veriu një nat’ e ma ngriu
E ma vrau tim Annabel Li.
Dashuria që kishim ish m’e forte se çdo dashuri,
S’e ka patur as plak as i ri,
As i marr’ as i urtë njeri
Dhe as Engjëjt e qiellit në erë,
As demonët përposh në skëterrë;
Shpirtin tim s’mund ta shqitin nga shpirti
I së bukurës Annabel Li.
Se tek hëna që ndrit, syri im endërrit
Për të bukurën Annabel Li;
Dhe çdo yll që shkëlqen syt’ e embël rrëfen
Të së bukurës Annabel Li;
Nat’ e ditë e shoh, edhe zemrën ma ngroh,
Shoq’ e dashura ime, e mjera jetime,
Përmi varrin ku deti buçet,
I rri pranë mi varrin në det.