BIBLIOGRAFI
GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU NË VEPRAT E AUTORËVE SHQIPTARË
(1480 – 2023)
Autori: HYSEN S. DIZDARI
Nuk them diçka të re kur përmend faktin se Bibliografia për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun hartuar nga z. Dizdari, është e pasur me vepra të shumta nga autorë shqiptarë, që përfshijnë studime historike, biografi, ese dhe vepra letrare.
Figura e Heroit Kombëtar Shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në përmasat dhe vlerat historike, është nga më të rëndësishmet e kombit tonë, dhe njëherësh është një nga krenaritë më të mëdha që kemi si komb. Ndaj volumi gjithëpërfshirës mbi këtë figurë është kaq i madh, në trajtim mbi jetën dhe veprimtarinë e tij si udhëheqës ushtarak, strateg i shquar që luftoi kundër Perandorisë Osmane në shekullin XV, pa përjashtuar edhe faktin si politikan. Në pamundësi të përmenden të gjithë, po përqok vepra historike dhe studime nga:
Aleks Buda – “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, duke theksuar se Aleks Buda ka kontribuar me studime të rëndësishme për periudhën e Skënderbeut.
Kristo Frashëri – “Skënderbeu: Jeta dhe vepra”, i cili ka shkruar një monografi e detajuar, ku trajton jetën dhe veprën e Skënderbeut, duke u bazuar në burime të ndryshme historike.
Marin Barleti – “Historia e Skënderbeut” (përkthyer nga Gjon Shllaku). Ky përkthim sjell veprën e Barletit në gjuhën shqipe, duke ofruar një burim të rëndësishëm për studiuesit dhe lexuesit shqiptarë, vepër e cila është bërë burim i gjerë referimi mbi historinë e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut.
Nelo Drizari – “Skënderbeu dhe epoka e tij”, një analizë historike që trajton kontekstin më të gjerë të periudhës së Skënderbeut, apo Vepra Letraro-Artistike nga:
Naim Frashëri – “Histori e Skënderbeut”, poemë epike që nderon jetën dhe luftërat e Skënderbeut, një nga veprat më të rëndësishme në letërsinë shqiptare.
Ismail Kadare – “Kështjella”, vëllim i cili, edhe pse nuk është një biografi e drejtpërdrejtë e Skënderbeut, trajton rezistencën shqiptare kundër osmanëve dhe, përmban elemente të rëndësishme historike lidhur me epokën e Skënderbeut.
Sabri Godo – “Skënderbeu”, me romanin historik që përshkruan jetën dhe betejat e Skënderbeut, duke sjellë një përshkrim të gjallë dhe dramatik të asaj periudhe, sikundër kemi edhe përkthime dhe redaktime të burimeve origjinale në rastin e autorit Stefan Prifti – “Dokumente për Skënderbeun”, me përmbledhje dokumentesh historike që lidhen me Skënderbeun, të përkthyera dhe të redaktuara për publikun shqiptar.
Çfarë ka përmbledhur Hysen Dizdari në bibliografinë për Skënderbeun?
Në bibliografinë e tij “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në veprat e autorëve shqiptarë 1480-2023”, përmbledh një koleksion të gjerë veprash të ndryshme studimore kushtuar Heroit Kombëtar shqiptar, ku përfshin libra historikë, letrarë, artistikë, biografi, etj., të shkruara nga autorë shqiptarë që kanë jetuar brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Bibliografia e ndarë në tri pjesë kryesore mbulon periudha të ndryshme historike:
Pjesa e parë (1480–1944): Kjo periudhë përfshin nëntë kapituj dhe mbulon veprat e para kushtuar Skënderbeut, duke përfshirë periudhën e tij dhe atë pas vdekjes së tij deri në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Pjesa e dytë (1945–1990): Edhe kjo e ndarë në nëntë kapituj, kjo pjesë mbulon periudhën e regjimit komunist në Shqipëri dhe mënyrën se si figura e Skënderbeut u trajtua dhe u përdor gjatë kësaj kohe.
Pjesa e tretë (1991–2023): Përsëri e ndarë në nëntë kapituj, kjo pjesë mbulon periudhën pas rënies së komunizmit dhe përfshin veprat më të reja deri në shtator të vitit 2023
Bibliografia është përgatitur jo vetëm me kujdesin e një nikoqiri të pasionuar, por edhe me merakun për të qenë sipas standardeve ndërkombëtare të përshkrimit bibliografik me informacion të detajuar për secilën vepër, ku përshkruan autorët, titujt, përkthyesit, redaktorët dhe hollësi të tjera të rëndësishme.
Çfarë vlere ka bibliografia Gjergj Kastrioti Skënderbeu e Hysen Dizdarit?
Duke qenë se Bibliografia “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në veprat e autorëve shqiptarë 1480-2023” ky libër vlerë të madhe, së pari:
- Dokumentim Historik i Gjerë, duke ofruar një pasqyrë të plotë dhe të detajuar të mënyrës se si është trajtuar figura e Skënderbeut nga autorë shqiptarë për më shumë se pesë shekuj.
- Ndihmë për Studiuesit dhe Hulumtuesit, si një mjet i vlefshëm kërkimor për studiuesit, historianët dhe studentët që merren me studimin e Skënderbeut dhe historisë shqiptare.
- Standardizimi Bibliografik, ku autori ka përdorur standardet ndërkombëtare të përshkrimit bibliografik duke bërë të mundur që të dhënat të jenë jo vetëm të sakta, por edhe dhe të lehta për t’u përdorur nga studiuesit në vazhdim.
- Përfshirja e Diasporës, duke e bërë këtë vëllim burim të rëndësishëm për të kuptuar ndikimin dhe përhapjen e figurës së Skënderbeut ndër shqiptarët jashtë trojeve shtetërore.
- Përdorimi i Gjerë i Burimeve na çon në një tjetër vlerë siç është trashëgimia kulturore, në ndihmë të përcjelljes së njohurive dhe vlerave historike për brezat në vazhdim.
Çfarë të veçante ka Bibliografia Gjergj Kastrioti Skënderbeu i shkruar nga Hysen Dizdari?
Kujdesi i autorit është përqendruar dhe ka realizuar me sukses:
- Përfshirjen e Gjithanshme të Veprave mbi Skënderbeun.
- Ndarja e Qartë Kronologjike
- Standardet Ndërkombëtare Bibliografike
- Hulumtim i Gjerë dhe i Thelluar
- Ndihma për Studiuesit dhe Akademikët
- Kontributi për Trashëgiminë Kulturore
- Përfshirja e Autorëve të Diasporës
Në këtë këndvështrim, do të shtoja se autori veç përmbledhjes dhe dokumentimit, hedh edhe një hap tjetër të rëndësishëm. Ky hap dhe ky këndvështrim, e bën edhe më të domosdoshëm këtë libër, pasi në shumë nga trajtimet, autori z. Dizdari, lë të hapur nxitjen për vazhdimësinë e studimeve mbi Heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Një nga rastet është: “Poema “Skënderbeu i pafan”, sipas studiuesit të De Radës, Markanoi, përfshinte 12 libra, të cilat në vitin 1880 ishin gati për dorëshkrim, por vetëm pesë panë dritën e shtypit në vëllime të veçanta gjatë viteve 1872 – 1884.”
A nuk përbën ky fakt, një nxitje për më tej? Sipas kësaj të dhëne, nga De Rada, kemi ende tetë vëllime për Skënderbeun. Për studiuesit në vazhdim, mendoj se është detyrë që kjo pjesë të zbardhet, jo vetëm pse i shërben planit historik, por ka edhe vlera të tjera si në planin e trajtimit të plotë nga De Rada të Heroit Kombëtar, ashtu edhe në planin e trashëgimisë gjuhësore krahasuese midis shqipes së vjetër dhe shqipes së sotme standarde, duke pasuruar fondin tonë të përgjithshëm historiko-gjuhësor dhe zhvillimet e tij të derisotme.
Pothuajse në këtë linjë është edhe studimi i marrë nga Dhori Qiriazi (2008), kur bën fjalë për testamentin e gjetur dhe të botuar në frëngjisht nga studiuesi gjerman Karl Hopf, gjë e cila përforcohet edhe përmes Prof. Pëllumb Xhufit, kur shprehet: “… Hopf mundi të bjerë në gjurmët e një kopjeje autentike të kronikës në fjalë (testamentit të Muzakës), që ruhej në shtëpinë e sekretarit mbretëror Volpicela në Napoli.”
Këto janë pak gjëra nga tërësia e këtij punimi të frytshëm, që z. Dizdari e ka punuar me aq kujdes.
Ky libër që kemi sot në dorë, është testamenti më i ri mbi figurën e Skënderbeut, por në të njëjtën kohë, ky libër është një bibliotekë më vete, si thesar dhe testament i përjetshëm i kombit të shqiptarëve. Nuk mund të lë pa e vlerësuar këtë libër, edhe si një udhëzues të rëndësishëm, apo binjakëzim i një fjalori historik, pasi vetë ndarja e periudhave, renditja kronologjike, gama e gjerë e autorëve shqiptarë të përmbledhur dhe detajimi i çdo reference apo burimi, e plotësojnë fare mirë bashkëngjitjen me një fjalor të kompletuar.
E falënderoj me përulje autorin për këtë punë prej tri dekadash, punë e cila ka mund, pasion dhe përkushtim, ka shpenzime të jashtëzakonshme ekonomike, të cilat në fund, autorit i kanë kënaqësinë deri në lumturi, si njeriu që ka pritur gjatë për t’u bërë prind.
Shumë faleminderit të gjithëve që më dëgjuat!
Bardhul Toda
Biblioteka Publike “Qemal Baholli” Elbasan, 16 maj 2024, ora 11.00