RRETH LIBRIT “BRENGA” TË XHEVAHIR LLESHIT
Të flasësh për krijimtarinë e z. Xhevahir Lleshi, nuk është aq e lehtë, pasi jo vetëm që krijimtaria e tij është e gjerë, por edhe sepse paraqet vështirësi në zbërthimin e ideve e mesazheve që jep, falë mjeshtërisë së tij krijuese, që e bazon mbi lëvrimin e eseve, të cilat nuk janë aq të lehta për t’i analizuar. Vetëm një libër kam marrë dhe jam vënë në pozitë të vështirë. Eseja është ajka e krijimtarisë dhe në këtë drejtim autori është mjeshtër i përkryer i saj.
Dhe në të vërtetë, ky libër, ky roman i z. Xhevahir, ngërthen një qerthull problemesh, që, sipas meje, vërtiten rreth tre koncepeve: ëndrrës dhe pyllit, që shpalosen nga brenga. Sipas meje, njëri është fizik: pylli dhe dy të tjerët jofizikë: ëndrra dhe brenga. Ëndrra sikur parathotë se çfarë do të ndodhë, ndërsa brenga shfaqet si reagim ndaj asaj që ndodh. Këto janë tri simbolika që mbajnë në këmbë ngrehinën e romanit, natyrisht, nëpërmjet personazheve, të prirë nga uni, një un i një lloji krejt tjetër, që nuk rrëfen shumë ngjarje, por filozofon rreth ëndrrës dhe pyllit, duke monologuar e kësisoj shpalos me bukuri artistike filozofinë e jetës, parë në këndvështrimin e një krijuesi, por na shfaqet edhe si filozof, edhe si historian, edhe si arkeolog, edhe si psikolog. Kjo tregon bagazhin formues ideor të autorit, i cili na jep këtë libër me të vërtetë të mrekullueshëm. Le ta lëmë mënjanë ëndrrën, sepse, në fund të fundit, në kuptimin konkret është proces psikologjik, por le të ndalemi te pylli. Mendoj që ky simbol shpreh jetën në shoqërinë shqiptare në vitet e fillimit të demokracisë, ku jeta e njeriut i ngjan pyllit të xhunglës, ku nga çasti në çast mund të ndodhin fatkeqësi.
Unë mund ta quaj roman-filozofi, ose filozofi e romanizuar. Në qendër është njeriu, njeriu si pasqyrë e jetës që, edhe pse mund të jetë i pasur, i kamur, përsëri është i zhveshur e i varfëruar shpirtërisht, por nga ana tjetër, autori e sheh jetën edhe me syrin e kritikut. Romani për mua është një ese, shkruar me shije e kulturë artistike. Është një autopsi e kohës në vendin tonë në vitet e para të ndryshimeve ekonomike e shoqërore, që u shoqëruan me plagë të rënda, duke filluar nga firmat piramidale, te përhapja e drogës, prostitucionit dhe e plot plagëve të tjera, të cilat janë aktuale edhe në ditët e sotme.
Ngjarjet lëvizin në jetë, por edhe brenda rrëfimtarit, ndaj është tepër i ngjeshur me ide e mendime, të shprehura me një gjuhë të rrjedhshme, plot finesë e figuracion.
U ndalëm në fillim te simbolika. Pylli në vetvete krahas bukurisë, fsheh edhe vështirësitë e jetës, aq më tepër pylli i këtij romani që në mënyrë figurative pasqyron vështirësitë e shumta, pengesat, prapësitë, intrigat, shkatërimet, vrasjet, prostitucionin, drogën dhe mjaft dukuri të tjera, të cilat janë bërë bashkudhëtare të rrugëtimit tonë drejt një jete ndryshe, drejt një bote me të vërtetë demokratike. Ndoshta mendoj që pse ia ka vënë titullin “Brenga” këtij romani. Ndoshta pamundësia për të dalë nga kjo xhungël që vetë më duart tona ia kemi vënë vetes dhe tashmë nuk mundemi ta kthejmë në pyllin e bukurisë, të hijeshisë, të mirësisë e të dashurisë njerëzore. Së paku, kështu e gjykoj unë.
Z. Xhevair tashmë e ka afirmuar veten si krijues vlerash artistike. Prodhimtaia e tij e begatë ka edhe një vlerë tjetër, mjeshtërinë e të shkruarit. Mendoj që kjo nuk arrihet aq lehtë, porse autori falë bagazhit të tij njohës, falë të jetuarit me situatat, ngjarjet, pasojat e tyre, mes njerëzve etj, ka bërë që të jetë mjeshtër i vërtetë i eseve. Unin e tij filozofik, psikologjik, etj e gjejmë mes njerëzve, mes personazheve të dhënë lakonisht si ngjarje, por gjerësisht si analizë e zbërthim karakteresh e kjo duket edhe nga emërtimi i tyre, si: Kap ça të kapësh, Ç’të të themi. Ki parasysh etj. Gjërësisht artistikisht është dhënë monologu, ku bie në sy niveli i lartë i tij dhe kjo nga përdorimi i fjalive të gjata, por edhe të shkurtra, gjë që i japin jetë e gjallëri tërë romanit.
Mund të duket sikur romani nuk ka personazhe dhe linjë lineare, ngjarje e veprime, por në të vërtetë, personazh është vetë autori, i cili me intuitën krijuese, me bagazhin e plotë dituror dhe me mjeshtërinë artistike, ka thyer romanin tradicional, i cili u përmbahet hyrjes, pikës së lidhjes, zhvillimit të ngjarjeve, pikën kulmore dhe zgjidhjen, të cilat ishin klishe me domosdo zgjidhja duhet të ishte në favor të së mirës. Kjo thyerje e bën romanin shumë interesant. Është tepër e vështirë të bësh analizë të hollësishme, pasi atë e ka bërë autori, i cili ka ditur të paraqesë artistikisht fatin e njeriut në pyllin e egër të realitetit. Autori, siç thamë, cek probleme të kohës me shtrirje të gjithëkohshme dhe me përmasa gati madhështore, sa çdo koment do të ishte fare i zbehtë për këtë roman.
I urojmë autorit jetë e shëndet dhe krijimtari të bollëshme e domethënëse.
Rakip Zhguni
23 shkurt 2024