Fondi i librave që disponon biblioteka ka një vlerë të madhe për kulturën kombëtare dhe ndërkombëtare, ka një vlerë të veçantë sidomos Fondi Albano-Balkanologjik për trashëgiminë tonë kulturore. Në fondet e saj gjenden botime të hershme të librave duke filluar nga viti 1500 në gjuhën latine, frënge, arabe, turke etj, deri në ditët e sotme. Koleksionet e librave në bibliotekën tonë janë të vendosura sipas degëve të shkencave nga 0-9. Këto koleksione janë të organizuara si më poshtë: Fondi i librit shqip, që përbën pjesën më të madhe të fondit libror.
1- Fondi i librit të huaj. Këto koleksione librash janë në gjuhën ruse, angleze, franceze, gjermane, italiane etj. Pjesën më të madhe, sidomos të literaturës tekniko-shkencore e zinin librat në gjuhën ruse, por pas viteve 1993-94 me ndihmat e vendeve perëndimore ky raport ka ndryshuar duke i dhënë prioritet librave në gjuhët perëndimore.
2- Fondi i Albano-Balkanologjisë, e cila përbën një vlerë në shkallë kombëtare. Bërthama e saj është krijuar me librat e dhuruar nga intelektuali i shquar elbasanas Lef Nosi.
3- Fondi i periodikut të vjetër, ku përfshihen koleksionet e periodikëve nga vitet 1883 deri në vitin 1944. Periodiku më i hershëm është revista “Flamuri i Arbrit” i vitit 1883, me kryeredaktor poetin e madh, nismëtarin e gjuhës së shkruar shqipe Jeronim De Rada si dhe revista “Dituria” e botuar në Kostandinopojë në vitin 1884 e drejtuar nga Pandeli Sotiri, veprimtar i Shkollës Shqipe si dhe dëshmor i Rilindjes Kombëtare.
4- Fondi i periodikut koherent, ku përfshihen koleksionet e titujve kryesorë të periodikut nga viti 1945 e në vazhdim.
5- Fondi i periodikut të huaj, ku përfshihen koleksionet e periodikëve kryesisht tekniko – shkencorë në gjuhën ruse, angleze, franceze dhe gjermane.
6- Fondi i librave për fëmijë që është instaluar në Qendrën Kulturore të Fëmijëve.
7- Antikuaret. Vlen për t’u përmendur që ky fond përbën një vlerë speciale dhe të rëndësishme për bibliotekën tonë, jo nga numri i koleksioneve, se sa nga përmbajtja e tyre dhe viti i botimit. Në këtë fond hyjnë librat e botuar në shekujt XVI – XVIII. Këto janë kryesisht me përmbajtje historike, filozofike, fetare etj., shumica e këtyre librave janë në gjuhën latine, franceze, italiane të vjetër, arabe, turke etj. Botimi më i hershëm që ndodhet në bibliotekën tonë është i vitit 1526 në gjuhën latine, botuar në Venecia me autor Appianvs Alexandrinvs dhe me titull “De Bellis Civilibvs Romanorvm”.
8- Hartat. Në bibliotekë ka një numër të konsiderueshëm hartash.
9- Materialet jo libra. Këtu përfshihen CD, DVD, DISQE etj, të cilat përdoren për aktivitetet e ndryshme që organizon biblioteka.
10- Fondi i hapur. Këtu përfshihen libra në gjuhë të huaj dhe shqip. Ky fond i hapur ka një rëndësi të madhe për komunitetin, sepse i jep liri për zgjedhjet e tyre. Gjithashtu edukojmë komunitetin me lirinë dhe zgjedhjen e shërbimit. Në këtë fond për t’i shërbyer komunitetit me informacion bashkëkohor është edhe fondi i librit Amerikan, dhuratë nga Fondacioni Liahona.