Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Me vendimin e Këshillit Bashkiak, në 2008 e më pas në tetor 2012, shumë emra rrugësh, lagjesh, sheshesh e kryqëzimesh në qytetin e Elbasanin u riemërtuan ose shumë syresh morën emra të rinj. Përzgjedhja e emrave u bë kryesisht duke u bazuar në individë dhe personalitete që kanë kontribute në rrjedhë të viteve në historinë e Elbasanit, duke filluar më patriotët dhe intelektualët që ndihmuan në Lëvizjen Kombëtare, në Shpalljen e Pavarësisë apo ata që dhanë ndihmesë në shumë fusha të jetës sidomos në kulturë e arsim e deri te ata që dhanë jetën gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Sheshet apo rrugët kryesore të qytetit mbajnë emrat e individëve që i kaluan kufijtë e lokales me kontributin e tyre, si psh: parku “Aqif Pasha”, lagjja “Kongresi i Elbasanit”, lagjja “28 Nëntori”, gjimnazi “Vasil Kamami”, gjimnazi “Konstandin Kristoforidhi” etj. Nga ana tjetër, një vend të rëndësishëm në emërtime, zë pjesa më e madhe e atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit gjatë LANÇ apo dhe data të rëndësishme të Luftës. Ato janë përjetësuar tashmë në emra shkollash publike, rrugë, lagje e institucione të ndryshme. Përmendim: bulevardin “Qemal Stafa”, sheshin “Kozma Naska”, lagja “11 Nëntori”, lagjja “Beqir Dardha”, spitali rajonal “Xhaferr Kongoli”, rruga “Sul Papri”, rruga “Sul Misiri”, rruga “Thoma Kalefi”, shkolla 9-vjeçare “Bardhyl Popa”, shkolla 9-vjeçare “Adem Krasniqi” etj. Madje dhe shumë fshatra, emrat e shkollave përkatëse i kanë vënë të dëshmorëve të zonës së tyre, si: shkolla e mesme “Anastas Çakalli” në Kuqan, shkolla e mesme e bashkuar “Ibrahim Ceka” në Funar e shumë të tjera. Edhe pse një pjesë e lagjeve apo toponimeve në gojë e popullit vazhdon të lakohet me emrat e vjetër, duhet të themi se emërtime të tilla, kanë rëndësinë e tyre. Në shumicën e rasteve ato kanë karakter emocional estetik, për të përjetuar reagime shpirtërore dhe për të mbajtur lidhje të gjalla me historinë dhe të shkuarën dhe njëherazi ngjallin tek të gjithë mirënjohjen ndaj atyre që formësuan historinë dhe identitetin e qytetit tonë.

Leave a Reply