Norbert Jokl (25 shkurt 1887 – maj 1942) ishte albanolog austriak me prejardhje hebreje, i konsideruar si një ndër themeluesit e albanologjisë moderne. Para se të bëhej i njohur për kontributet e tij në studimet shqiptare, ai ishte i vlerësuar si studiues i filologjisë balto-sllave dhe si bibliotekar i lartë (Oberstaatsbibliothekar) në Universitetin e Vjenës.
Jokl lindi në Bzenec (atëherë Bisenz), në Moravinë e Jugut (sot Republika Çeke), në një familje hebreje tregtare. Studioi fillimisht drejtësi në Universitetin e Vjenës, ku mori gradën doktor i drejtësisë por e braktisi praktikën ligjore për t’iu përkushtuar gjuhësisë.
Ai studio gjuhët indo-evropiane (me Paul Kretschmer), gjuhët sllave (me Vatroslav Jagić), gjuhët romane (me Gustav Meyer-Lübke).
Në moshën 30-vjeçare mësoi shqipen, fillimisht në kursin e udhëhequr nga Gjergj Pekmezi, lektori i parë i shqipes në Universitetin e Vjenës. Më tej e thelloi njohjen si autodidakt, në bashkëpunim me studentë dhe shqiptarë që jetonin në Vjenë.
Në vitin 1914, falë nismës së tij, në Vjenë u realizuan regjistrimet e para zanore studimore në gjuhën shqipe.
Kontributi në albanologji është vepra e tij madhore, “Studien zur albanesischen Etymologie und Wortbildung” (Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes), i cili konsiderohet si arritja më e rëndësishme në studimet shqiptare pas fjalorit etimologjik të Gustav Meyer.
Ai gjithashtu punoi mbi një Fjalor etimologjik të gjuhës shqipe, dorëshkrimi i të cilit u zhduk pas arrestimit të tij.
Jokl ndërtoi një bibliotekë albanologjike dhe indoevropianistike me rreth 3000 vëllime, nga të cilat sot kanë mbetur më pak se 200.
Në vitin 1937 vizitoi për herë të vetme Shqipërinë dhe u nderua me dekoratën “Urdhni i Skënderbeut” me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë.
Pas aneksimit të Austrisë nga Gjermania naziste (1938), Jokl u përndoq për shkak të origjinës hebreje. Iu hoq e drejta për të ushtruar profesionin dhe për të përdorur bibliotekën universitare.
Shumë personalitete të kohës, si Carlo Tagliavini, Nikollë Rrota, Mustafa Kruja etj u përpoqën ta shpëtonin duke e ftuar në Shqipëri. Edhe pse u ndërmorën edhe përpjekje diplomatike përmes autoriteteve italiane të kohës, ato nuk dhanë rezultat. Më 4 mars 1942, Jokl u arrestua nga Gestapo në banesën e tij në Vjenë. Ekzistojnë disa versione për fundin e tij dhe si datë më e pranuar e vdekjes është 6 maji 1942.
Në vitin 1982, Universiteti i Vjenës e përfshiu emrin e tij në tabelën e nderit.
Në Tiranë një rrugë sot mban emrin e tij.
Në historinë e albanologjisë, Norbert Jokl mbetet figura që i dha shqipes një trajtim të thellë shkencor në nivel indoevropian, duke e vendosur gjuhën shqipe në hartën e studimeve gjuhësore europiane me autoritet dhe rigorozitet akademik.
