Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Fjalë ceremonie për letërsinë

Xhon Stejnbek, lindur #sisot më 27 shkurt 1902, është një romancier dhe tregimtar i shquar amerikan i shekullit të XX, i njohur për përshkrimet e tij prekëse të çështjeve sociale dhe luftërave të klasës punëtore. Stejnbek shfaqi pasionin për të shkruar që në moshë të re, i frymëzuar nga një gamë e larmishme ndikimesh letrare, duke përfshirë legjendat arturiane dhe Biblën. Ai ndoqi Universitetin e Stanfordit, por nuk u diplomua, duke zgjedhur që në vend të shkollimit të bënte punë të ndryshme që i lejuan të përjetonte jetën e punëtorëve dhe emigrantëve, përvoja të cilët ndikuan thellësisht në shkrimet e tij. Romanet e tij më të mirë janë: Vilet e zemërimit, “Njerëz dhe minj”, “Në lindje të Edenit”, “Lagja Tortilla Flet”. Në vitin 1962 i jepet çmimi Nobel në letërsi me motivacionin “për shkrimet e tij realiste dhe imagjinare, duke kombinuar humorin simpatik dhe perceptimin e mprehtë shoqëror”.

Fjalimi i tij në banketin e ceremonisë së marrjes së Çmimit Nobel përcjell një mesazh të qartë se çfarë simbolizon për të shkrimi, letërsia dhe mesazhet që ato përcjellin në çdo kohë.

“… Falënderoj Akademinë Suedeze që e gjeti veprën time të denjë për këtë nderim kaq të lartë. Me zemër e them, se kam dyshim nëse e meritoj vërtet çmimin Nobel para njerëzve të tjerë të letrave, që i respektoj dhe i nderoj, por nuk kam dyshim për kënaqësinë dhe krenarinë që ndjej që ky çmim, tashmë, është i imi. Prestigji që të jep fitimi i çmimit Nobel dhe ky vend këtu, nga ku po flas, më bëjnë të ndjehem krenar për profesionin tim dhe për ata njerëz të mëdhenj dhe të mirë që e kanë ushtruar atë gjatë shekujve. Letërsia nuk u përhap nga ndonjë klan priftërinjsh të zbehtë e të dobët që këndonin liturgjitë e tyre në kisha bosh – as nuk është një lojë. Letërsia është po aq e vjetër sa fjala. Ajo lindi nga nevoja njerëzore për të, dhe nuk ka ndryshuar përveçse është bërë më e nevojshme. Skaldët, bardët, shkrimtarët nuk janë të ndarë dhe përjashtues. Që nga fillimi, funksionet e tyre, detyrat e tyre, përgjegjësitë e tyre janë dekretuar nga speciet tona.

Njerëzimi ka kaluar nëpër një kohë gri dhe konfuzioni. Paraardhësi im i madh, William Faulkner, duke folur këtu, e quajti atë një tragjedi të frikës universale aq të gjatë sa nuk kishte më probleme të shpirtit, kështu që vetëm zemra njerëzore në konflikt me veten, dukej e denjë për t’u shkruar. Faulkner, më shumë se shumica e njerëzve, ishte i vetëdijshëm për forcën dhe për dobësinë njerëzore. Ai e dinte se kuptimi dhe zgjidhja e frikës janë një pjesë e madhe e arsyes së ekzistencës së shkrimtarit. Kjo nuk është e re. Misioni i lashtë i shkrimtarit nuk ka ndryshuar. Ai është i ngarkuar me ekspozimin e shumë të metave dhe dështimeve tona të rënda, me nxjerrjen në dritë të ëndrrave tona të errëta dhe të rrezikshme me qëllim përmirësimi. Për më tepër, shkrimtarit i është caktuar të deklarojë dhe të festojë aftësinë e provuar të njeriut për madhështinë e zemrës dhe të shpirtit – për trimërinë në disfatë – për guximin, dhembshurinë dhe dashurinë. Në luftën e pafundme kundër dobësisë dhe dëshpërimit, këto janë flamujt e ndritshëm të shpresës dhe të imitimit.

Unë mendoj se një shkrimtar që nuk beson me pasion në përsosmërinë e njeriut, nuk ka përkushtim dhe as anëtarësim në letërsi.

***

Ne kemi uzurpuar shumë nga fuqitë që dikur ia atribuonim Zotit. Të frikësuar dhe të papërgatitur, ne kemi marrë përsipër sundimin mbi jetën ose vdekjen e të gjithë botës – të të gjitha gjallesave. Rreziku, lavdia dhe zgjedhja më në fund qëndrojnë te njeriu. Prova e përsosmërisë së tij është afër. Duke marrë pushtetin hyjnor, ne duhet të kërkojmë në veten tonë përgjegjësinë dhe mençurinë për të cilën dikur luteshim që ndonjë hyjni të kishte. Vetë njeriu është bërë rreziku ynë më i madh dhe shpresa jonë e vetme.

Kështu që sot, apostulli Shën Joan mund të perifrazohet… :

Në fund të fundit është Fjala, dhe Fjala është Njeriu!

Leave a Reply