Letërsia shqipe për fëmijë, me fillesat e saj në abetaret e para shqipe, edhe pse dukshëm ishte me karakter fetar, ka rëndësi pasi ajo u zhvillua si letërsi artistike në funksion të mësimit të gjuhës amtare e të edukatës kombëtare për të gjitha moshat. Studiues të shumtë rendisin emrat e rilindësve, si Veqilharxhi me “Evëtarin” e tij (1844), Kristoforidhi me “Abetar shqip” (1872) e Sami Frashëri me “Abetare e gjuhës shqip” (1886) si pionierët e kësaj letërsie në gjuhën shqipe, pasi në abetaret e tyre ata përfshinin materiale kryesisht poezi, përralla apo tregime të shkurtra të përshtatura për fëmijë.
Sot, në 1 qershor, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, sjellim për ju, poezinë e përkthyer mjeshtërisht nga Kristoforidhi “Ylli i vogël lart në qiell”, e cila mund të cilësohet pa frikë si një nga poezitë më të bukura për fëmijë e që edhe sot vazhdon të zërë vend në tekstet shkollore. Kjo poezi është shkruar në anglisht nga Xhejn Tejlor (Jane Taylor ang.) në vitin 1804 me titullin “Twinkle, twinkle, little star”.
YLL I VOGËL LART NË QIELL
Yll i vogël lart në qiell,
duket porsi zjarr në pyll,
sipër dheut lart qëndron,
xixa, xixa, xixëllon.
Disku i diellit kur perëndon,
nata hijen e lëshon,
ylli veten e zbulon,
xixa, xixa, xixëllon.
Dritë e yllit kur shkëlqen,
udhëtarit ç’i pëlqen,
natën errët ku po shkon,
udhën vetëm s’e harron.
Natën çuni kur shikon,
sipër botës, fort mendon,
mendtë e tija ç’i habit
yll i vogël se si ndrit.
Për më shumë informacion: Abetaret e para – fillesat e letërsisë shqipe për fëmijë. Jonela Spaho (Gazeta Dielli)
Në lidhjen e mëposhtme mund të shfletoni nga koleksioni digjital i bibliotekës sonë:
Abetār škíp prei Konstantinit Kristoforidit Elbasanasit, Konstandinopol, 1872
