A e dini se…
Kampionati i Parë Botëror i Futbollit, filloi #sisot më 13 korrik 1930 e deri më 30 korrik 1930 në Uruguaj.
Në këtë kampionat merrnin pjesë 13 vende: shtatë nga Amerika e Jugut, katër nga Evropa dhe dy nga Amerika e Veriut. Çdo shtet që aplikoi u pranua dhe kjo ishte hera e parë dhe e vetme që s’pati ndeshje kualifikuese.
Uruguaji u përzgjodh si vendi organizator për tri arsye: Uruguai kishte fituar medaljet e arta olimpike në vitet 1924 dhe 1928, duke i bërë ata vendin dominues të futbollit të epokës. Uruguaj gjithashtu festonte 100-vjetorin e kushtetutës së parë në vitin 1930. Dhe me këtë rast festimesh ofruan të paguanin të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit për ekipet pjesëmarrëse, gjë që ishte një nxitje e rëndësishme duke pasur parasysh depresionin ekonomik global në atë kohë.
Të gjitha ndeshjet u luajtën në stadiumin Estadio Centenario të Montevideos ndërtuar enkas për këtë rast.
Katër grupet ishin:
Grupi 1: Argjentina, Kili, Francë, Meksikë
Grupi 2: Bolivia, Brazil, Jugosllavi
Grupi 3: Peru, Rumania, Uruguaj
Grupi 4: Belgjikë, Paraguaj, ShBA
Golin e parë në Kampionatin e Parë Botëror të futbollit e shënoi Lucien Laurent i Francës në minutën e 19-të kundër Meksikës më 13 korrik 1930. Ndeshja përfundoi 4-1 në favor të Francës. Laurent ishte një njeri modest që rrallë fliste për atë moment por që më vonë do të shprehej: “Askush nuk e kuptoi se ne po bënim historinë.”
Golashënuesi më i mirë i kampionatit u shpall Guillermo Stabile i Argjentinës, me tetë gola në katër ndeshje. Ai gjithashtu shënoi tregolëshin e parë në historinë e Kupës së Botës.
Ndeshja finale u mbajt në 30 korrik 1930 mes Argjentinës dhe Uruguajit e cila u mbyll me fitoren 4 me 2 të vendit organizator.
Këtë vit, jemi në edicionin e 23-të të Kampionatit Botëror, dhe teksa ethet e futbollit mbajnë mbërthyer pas ekranit miliona tifozë anembanë botës, do na duhet dhe një javë akoma për të zbuluar fituesin e rradhës.
