HISTORIJA E BIBLJOTEKAVE NË SHQIPËRIË, një rubrikë e përmuajshme e revistës Hylli i Dritës të vitit 1938 me autor Bardhyli, përshkruan bibliotekat anembanë Shqipërisë. Bardhyli në fakt është pseudonimi i Llukë Karafilit, i cili në mënyrë serioze pasqyron imtësisht punën që bëhet në biblioteka, funksionimin e tyre, anëtarësimin, mënyrat e pasurimit dhe menaxhimit të tyre. Në numrin e 9-të të revistës së vitit 1938, artikulli i kushtohet tërësisht bibliotekës së Elbasanit, e cila në atë kohë kishte dhe muzeun në godinën e saj. Drejtuesi i asaj periudhe, z. ibrahim Laçi, gjatë intervistës rrëfen për historikun e krijimit të bibliotekës, mënyrës se si ajo financohet nga bashkia dhe pasurimit të saj në formë dhuratash nga familjet elbasanase, nga Ministria e Arsimit, Legacionet të ndryshme në vend, shtëpitë botuese, personalitete shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë, etj. Madje vetë z. Laçi, nëpërmjet njohjeve dhe korrespondencave të tij ka ndihmuar në pasurimin e bibliotekës dhe muzeut me materiale të ndryshme. Përsa i takon muzeut, pjesën më të rëndësishme të tij, e zenë materialet e dhuruara nga filantropi elbasanas z. Lef Nosi, që janë kryesisht dorëshkrime, akte e dokumenta të ndryshme të cilat shërbejnë si një arkivë e vyer për historikun e qytetit të Elbasanit.
Në lidhjen e mëposhtme, do të mund ta lexoni të plotë këtë material interesant për bibliotekën tonë.
