Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Milosao – dashuri dhe atdhedashuri

A e dini se …

De Rada ishte vetëm 22 vjeç kur u publikua për herë të parë “Poezi shqipe të shekullit XV, Këngë të Milosaos, djalë i sundimtarit të Shkodrës“.

Kjo poemë liriko-epike, e cila më vonë do të njihej gjerësisht si “Këngët e Milosaos”, pa dritën e botimit #sisot në 4 gusht të vitit 1836, edhe pse De Rada e kishte përfunduar atë që në 1834, kur ia kishte shkruar dhe parathënien tashmë.

Ngjarjet e poemës zhvillohen në shek. e XV dhe temë kryesore kanë dashurinë e dy të rinjve, Milosaos dhe Rinës, një dashuri që ndiqet nga fati tragjik. Ndonëse dashuria është tema që përshkruan gjithë poemën, De Rada arrin të evidentojë dhe problematika shoqërore si pabarazia, mospajtimi dhe diferencimi shoqëror, fetar e kulturor si dhe pasojat që sjellin këto fenomene në përditshmëri. Ndjenja e atdhedashurisë është një linjë tjetër që shoqëron veprën dhe personazhet, fati i të cilëve është i lidhur me fatin historik të atdheut të tyre.

Jeronim De Rada e ribotoi tri herë këtë poemë duke shtuar këngë dhe ndryshuar subjektin dhe duke i dhënë atij nota realiste e historike sado idealist dhe romantik në thelb ishte personazhi kryesor i saj.

Rëndësia e kësaj poeme qëndron në faktin se ajo shënoi kalimin nga letërsia me përmbajtje fetare në atë të mirëfilltë artistike.

E shkruar në dialektin e arbëreshëve të Kalabrisë, përshtatja e poemës në gjuhën e sotme shqipe është realizuar nga studiuesi Dhimitër Shuteriqi. Prej disa vitesh, cikli prej 30 këngësh të Milosaos është pjesë e programit mësimor të ciklit parauniversitar.

Në lidhjen e mëposhtme mund të lexoni “Këngët e Milosaos” me parathënie, komente dhe fjalorth shpjegues nga Dhimitër Shuteriqi.

https://gjergjpekmezilibrary.wordpress.com/wp-content/uploads/2015/03/kenget-e-milosaos.pdf

Leave a Reply