Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Rakip Zhguni – “makineria” redaktoriale e autorëve elbasanas

Në rubrikën Elbasani në shkrim dhe shpirt, sjellim sot autorin, redaktorin, studiuesin dhe mikun e thjeshtë të të gjithëve ne, Rakip Zhgunin. Kush e njeh Rakipin, padiskutim, që sa herë flet për të, do verë buzën në gaz, pasi do t’i vijë ndër mend fytyra e dashur, e qeshur, batuta dhe humori spontan i tij. Një ish-mësues, i dalë nga bankat e Normales së Elbasanit, Rakipi, kudo ku punoi, tregoi devotshmëri dhe përkushtim për profesionin e tij, jo vetëm në transmetimin e dijeve tek brezat e rinj por edhe në kultivimin tek ta të dashurisë për librat dhe të bukurën. Krijimet e tij të para i përkasin viteve kur ishte nxënës në pedagogjike, për të cilat, ai edhe pse nuk i ka më, ruan kujtimin e kënaqësisë fillestare së krijimit, sado modeste ishin ato. Përvoja si mësues si dhe kontaktet e vazhdueshme e miqësore me pedagogët e gjuhë-letërsisë në Universitetin e Elbasanit, i dhanë shtysën dhe nxitjen e brendshme aftësisë së tij për të shkruar dhe krijuar. Janë pikërisht 30 vitet e fundit gjatë të cilave Rakipi botoi mbi 30 libra në zhanre të ndryshme, si: poezi, prozë e shkurtër, letërsi për fëmijë, kritikë letrare, fjalorë, shkrime biografikë etj. Tematika e krijimeve të tij është e thjeshtë; autori frymëzohet nga ngjarjet e përditshme, festat, kujtimet me miqtë, dashuria, familja, malli për vendlindjen, rininë, lartëson të bukurën dhe vlerat e njeriut dhe idealizon një individ parimor si pjesë e një shoqërie të shëndetshme. Një studim disa vjeçar i tij, fryt i një pune të palodhur sistematike kërkimore, botuar në 2008 dhe i ribotuar në 2024 është “Fjalori krahinor: fjalë dhe shprehje nga zona e Shmilit”. Sado që çdo krijuesi do t’i pëlqente që në opinionin kritik e letrar të konsiderohej si autor i mirëfilltë, në rastin e Rakipit, shërbimi që ai i ka bërë komunitetit letrar të Elbasanit dhe më gjerë me redaktimet, bën atë, që emri i tij të lakohet më shumë si redaktor dhe natyrisht komuniteti t’i jetë falenderues për punën e tij të vazhdueshme e serioze. Me krenari themi se ai është redaktor i mbi 70 librave të autorëve elbasanas dhe të tjerë, të cilët ai i shoqëron edhe me një analizë letrare të detajuar, ku shpreh jo vetëm përshtypjet e tij personale rreth secilit libër apo autor, por dhe të ndihmon të kuptosh natyrën dhe përmbajtjen e librit. Me thjeshtësinë dhe bujarinë intelektuale të tij, ai nuk heziton t’i publikojë këto punime të mirëfillta kritike letrare në facebook-un e tij, apo të përgatisë referatin për çdo takim letrar apo promovim libri që organizon biblioteka. Një punë e tillë, e bën Rakipin njohësin më të mirë të letërsisë lokale të këtyre 30 viteve të fundit. Autorë dhe krijues si: Isa Muça, Shefit Doksani, Spiro Basho, Nexhip Ejupi, Arif Rama, Petrit Qoku, Eduart Hoxholli, Ibrahim Ibrushi, Teuta Karançe, Stavri Çipi, Vera Kreka, Kujtim Agalliu, Astrit Bishqemi, Fatmir Terziu, Ferit Rama dhe sa e sa të tjerë kanë kaluar të gjithë në “sitën redaktoriale” të Rakipit dhe të gjithë urojnë që ai “burri imcak me kokën plot” të ketë shëndet dhe jetën e gjatë.

Leave a Reply