Në mëngjesin e datës 29 tetor 1944, skuadra e Forcave Ajrore Mbretërore (RAF), u nis nga Brindisi me detyrë të posaçme për të dërguar furnizime në kuadër të Operacioneve Ekzekutive Speciale (SOE) drejt Shqipërisë. Aeroplani do të zbarkonte furnizime në pllajën e maleve të Çermenikës në Shqipëri. Pas pak kohe fluturim lidhja me ekipin në avion u shkëput. Avioni mori flakë dhe u rrëzua duke marrë me vete jetët e anëtarërve të ekipit që fluturonin në të: Edwin John Stubley, Charles Mabbs, Alfred Coote, John Thompson, Ernest Logan Brown, Austin Donnelly dhe Richard Charles Knee.
Çfarë ishin Operativët Ekzekutivë Specialë?
Me rënien e Francës në duart e nazistëve, lindi nevoja e menjëhershme e krijimit të një force vullnetare luftarake britanike, e cila do të zhvillonte një luftë ndryshe kundër ushtrive hitleriane. Kjo forcë u pagëzua me emrin “Special Operations Executive” (SOE). Më 16 korrik 1940, kryeministri britanik Winston Churchill emëroi Hugh Dalton si drejtues politik të SOE-s dhe menjëherë e urdhëroi atë të fillonte veprimtarinë në terren. Misioni i SOE ishte të kryente akte spiunazhi dhe sabotazhi në prapavijat e nazistëve duke ndihmuar në organizmin e luftës guerrile në të gjitha vendet e pushtuara nga armiku.
Organizata angazhoi 13.000 pjestarë prej të cilëve 3.200 ishin femra. Në aktet më të rëndësishme, të ndërmarra nga ana e Britanisë së Madhe ndaj Shqipërisë, është futja e vendit tonë në hartën e veprimeve të SOE.
“Provinca e Egër” është libri ku Roderick Bailey rrëfen se si u zhvilluan operacionet e SOE–së në Shqipëri. Sipas Bailey-t, në vitin 1943, një ekip i vogël elitë i ushtarëve britanikë, filloi të zbriste me parashutë në malet e Shqipërisë së pushtuar. Ata kishin si detyrë të gjenin dhe të armatosnin çetat e luftëtarëve guerrilas dhe të sulmonin armikun sa më shumë që të mundeshin. SOE-të kurrë nuk kishin shkelur në Shqipëri dhe as që dinin se çfarë do t’i priste atje. Duke u përpjekur të mbijetonin në kushtet më ekstreme dhe në një terren tejet të vështirë, këta britanikë të rinj jetuan nën rrezikun e përhershëm se mos binin në duart e armikut ku i priste vdekja e sigurtë. Përveç sëmundjeve, pamundësisë për një jetë të pastër, atyre iu shtohej edhe fakti se guerrilasit shqiptarë, ishin në konflikt me njëri – tjetrin. Në këtë libër të jashtëzakonshëm autori ka përdorur intervistat me të mbijetuarit, ditare të fshehura prej kohësh dhe të deklasifikuara më së fundi, të cilat dëshmojnë historinë e jashtëzakonshme të SOE–së në Shqipëri. Ata i dhanë një ndihmë konkrete LANÇ-it në armë, municione, pajisje të ndryshme ndërlidhje, monedha ari etj
SOE u shpërnda zyrtarisht në 15 janar të vitit 1946. Në vitin 1993, eshtrat e ushtarakëve britanikë që humbën jetën në Shqipëri, u mblodhën dhe u vendosën në një varrezë në Parkun e Tiranës; nga 53 të rënë, vetëm 46 prej tyre i kanë pllakat e varreve mbi kokë.
Një ndër të mbijetuarat, që shërbeu në SOE, ishte dhe Margaret Hasluck (1885–1948), e cila njihet për marrëdhëniet e mira që krijoi me elbasanasit dhe veçanërisht me mikun e saj, Lef Nosi.
Homazhet për aleatët e rënë, kanë hyrë në Protokollin e Shtetit dhe çdo 8 maj ata përkujtohen me homazhe të organizuara nga Ambasada Britanike.
© Artikulli është mbështetur në: https://malberisha.com/te-renet-britanike-te-vetmit-ushtarake-te-huaj-qe-shkelen-ne-shqiperi-si-liberatore/
Çdo vit në Tiranë, por dhe me shtrirje në qytete të ndryshme të Shqipërisë, me nismën e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit: “Shqipëria mikpret botën”, zhvillohen aktivitete në kuadër të Javës Kulturore Britanike. Këtë vit, kjo javë është përcaktuar në periudhën 10-16 nëntor 2025.
