“Kjo botë shpirtnore vajzash e grash…” është botimi më interesant promovuar në datë 19 nëntor 2025 në bibliotekë, ideuar dhe moderuar nga poetja Marsela Neni, nje mikeshë dhe bashkëpunëtore e kahershme e bibliotekës. Hartuesit dhe botuesit e kësaj antologjie, z. Jozef Radi dhe znj. Desantila Qerimaj Rranxa, ndanë me të pranishmit procesin krijues dhe rëndësinë e kësaj bote shpirtërore femërore në letërsinë bashkëkohore shqiptare. Në promovim, pjesë të të cilit ishin dashamirës të librit, pedagogë dhe Klubi i Krijuesve Elbasan, u lexuan disa poezi të poeteve të përfshira në antologji. Kjo antologji, është një përmbledhje e 29 autoreve, me 11 poezi secila, shoqëruar me nga një biografi të shkurtër dhe një analizë letrare për poezitë. Ajo që të bie në sy, është përdorimi i gegnishtes në pjesën më të madhe të autoreve, qofshin këto edhe nga Jugu i Shqipërisë. Në antologji janë përfshirë krijimet e autoreve shqiptare pas vitit 2000, të cilat jetojnë jo vetëm brenda, por dhe jashtë Shqipërisë; katër prej të cilave janë shkrimtare nga Kosova. Kjo gjë e bën këtë antologji mjetin ideal që përbashkon nëpërmjet poezisë dhe tejkalon kufijtë gjeografikë.
