Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Thesaret e kulturës shqiptare në prizmin e një historiani të huaj

Në sallën e bibliotekës, mes miqsh, u promovua studimi më i fundit i autorit Vladimir Solodovnikov me titullin “Thesaret e kulturës shqiptare”. Ky botim, rreshton një sërë figurash të njohura të shkrimit dhe letrave shqipe, të ndarë në kapituj sipas tipologjisë së kontributit të tyre në letërsinë shqipe. Duke e nisur librin që me qytetërimet e lashta, dorëshkrimet e shenjta unike të Shqipërisë, dëshmitë më të vjetra në gjuhën shqipe, përkthimet e para të ungjijve, themeluesit e arsimit kombëtar e deri te fillesat e letërsisë moderne shqiptare, autori evidenton dhe vlerëson trashëgiminë shumëdimensionale të popullit shqiptar. Solodovnikovi është historian, kulturolog, filozof dhe autor i mbi 60 punimeve shkencore me një përvojë shumëvjeçare në mësimdhënie dhe ligjërata. Interesi i tij për Shqipërinë i ka fillesat që në kohën kur ishte student, por nëse atëherë ishte e pamundur të shfrytëzoje materiale arkivore dhe dokumentare, vendosja e tij që prej 2018 në Tiranë i lehtësoi qasjen si dhe finalizimin e punës së tij në këtë monografi ku ai vlerëson kontribuesit shqiptarë në shkencë, art dhe arsim. Përkthyesja e librit, Sanda Thomollari, e konsideron librin si një ftesë për të njohur, reflektuar dhe vlerësuar pasurinë tonë kombëtare duke e konsideruar këtë trashëgimi jo më si pjesë të së shkuarës por si udhërrëfyes për të ardhmen. Në fund të takimit, autori dhuroi libra për të pranishmit në sallë si dhe për fondin e bibliotekës. I urojmë autorit suksese të mëtejshme dhe krijimtari të begatë.

Leave a Reply