Muaji gusht u cilësua nga Bashkia Elbasan, si muaj i promovimit të vlerave kulturore dhe historike të qytetit tonë. E, natyrisht dhe biblioteka u bë pjesë e kësaj nisme me tre aktivitete me tematika të ndryshme. I pari ndër to ishte ekspozita me temë: “105 – vjetori i revistës Kopshti Letrar dhe 5 – vjetori i revistës Albanon”. Në këtë ekspozitë, u paraqitën në qendrën e qytetit, numrat e këtyre revistave lokale por me një rëndësi dhe vlera që i kalon caqet e lokales, si dhe foto të artikujve të veçantë me rëndësi historike dhe kulturore për qytetin tonë. Kjo ekspozitë ngjalli interes dhe kërshëri tek qytetarët. E një rëndësie të veçantë ishte ekspozita e dytë me titull: “Elbasani në penën e udhëtarëve të huaj” konceptuar si një mënyrë për të evidentuar vlerat e qytetit tonë, të cilat që në kohë më të hershme kanë ngjallur interesin dhe simpatinë e udhëtarëve të huaj të cilët ishin kalimthi apo të stacionuar në qytet. Të huajt, me profesione eksplorues, historianë, studiues të gjuhës, folklorit dhe historisë, piktorë, ushtarakë, mjekë e misionarë të fesë, etj, kanë shkruar në kujtimet e tyre mbresat dhe përshtypjet që i ka lënë qyteti i Elbasanit, një qytet i lashtë në histori, i pasur në kulturë dhe traditë, mikpritës dhe bujar, arsimdashës dhe aspirues për liri, dhe natyrisht vendlindja e shumë figurave të rëndësishme. Promovimi i librit më të fundit me poezi për fëmijë, “Lumi im”, i autorit Atë Stavri Çipi përkoi me përvjetorin e 67-të të lindjes së tij dhe ishte njëherazi pjesë e aktiviteteve të hapura të muajit gusht.