Skënder Luarasi, lindur #sisot, 19 janar 1900, ishte publicist e përkthyes, luftëtar dhe veprimtar i arsimit dhe shkollës shqipe. I lindur dhe rritur në një familje atdhetarësh me kontribute në çështjen kombëtare dhe në përhapjen e arsimit, Skënderi vijoi në gjurmët e të atit, Petro Nini Luarasit, duke e zgjeruar dhe më tej veprimtarinë e tij, ku dalloi si aktivist në lëvizjen kombëtare me pikëpamjet e tij idealiste, në fushën e mësimdhënies e të arsimit si dhe drejtues dhe bashkëpunëtor i disa organeve të shtypit përparimtar të kohës. Ishte ndër anëtarët e parë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë; themeluesi dhe pedagogu i parë i degës së gjuhës dhe letërsisë angleze në Universitetin e Tiranës, çelur më 1961 dhe më pas, deri sa doli në pension, punoi pranë Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë. Skënderi u mor me përkthime, me krijimtari letrare, me publicistikë dhe vijoi traditën e mikut të tij, me të cilin ka mbajtur dhe një letërkëmbim të vonë, Fan Nolit, duke përkthyer kryevepra të autorëve të huaj, si: Gëtes, Shilerit, Bajronit, Uitman, Longfellout, Shekspirit, Kalidasa, Ostrovskit etj. Një kontribut të veçantë, Skënder Luarasi ka në hartimin e një sërë biografive të personaliteteve shqiptare, si të: Ismail Qemalit, Isa Boletinit, motrave Qiriazi, Petro Nini Luarasit, Migjenit etj. Për kontributet e tij si atdhetar, në fushën e letrave shqipe dhe të edukimit, Skënder Luarasi është dekoruar me “Urdhrin e Flamurit” dhe Urdhrin “Nderi i Kombit”. Skënder Luarasi do të mbetet një ndër personalitetet më përfaqësues të inteligjencës shqiptare të shekullit XX.
Në lidhjen e mëposhtme, do të mund të lexoni pjesë nga përkthimet dhe esetë e tij si dhe letërkëmbimin me Fan Nolin.
