Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Londra konsiderohet si një shtëpi e madhe e tejmbushur me gjetjet e lashta dhe thesaret kulturore ndër shekuj, të zbuluara në mbarë botën. Në Londër, gjenden një gamë e gjerë muzesh të cilët kanë rëndësi ndërkombëtare për njohjen e historisë dhe kulturës së tërë qytetërimit. Muzetë janë të tematikave të ndryshme, që nga ato historike, kulturore, shkencore etj. e deri tek arti kontemporan, galeritë e dizajnit, muzetë personalë apo ekspozitat dhe veprimtaritë interaktive të cilat paraqesin ndryshimet dhe risitë në mënyrën e të menduarit e të jetuarit. Shumica e muzeve dhe galerive të artit në Londër e ofrojnë hyrjen falas.

 

Muzeu Viktoria & Albert

Me qendër në South Ken, V&A është një qendër e gjallë e artit dekorativ, dizajnit, modës dhe tekstileve. Koleksioni i përhershëm përmban 2.3 milionë objekte. Ka rreth 150 galeri madhështore në shtatë kate. Ato përmbajnë pjesë të panumërta mobiljesh, qeramikë, skulpturë, piktura, postera, bizhuteri, punime metalike, qelqi, tekstile dhe veshje, që shtrihen në disa shekuj. Pjesa më e madhe e ekspozitave ofrohen falas.

 

Muzeu Britanik

Krijuar më 1759, ishte muzeu i parë kombëtar dhe vazhdon të jetë falas për t’u vizituar, në mënyrë që çdo “person studjues dhe kurioz” të mund të kalonte nëpër dyert e tij dhe të shikonte objektet e çuditshme të mbledhura nga i gjithë globi. Galeritë janë të ndara sipas vendndodhjes dhe periudhave në histori – Irani i lashtë, Greqia, Kina nga 5000 vjet para Krishtit, Britania romake e kështu me radhë. Muzeu organizon ture 20-minutëshe falas në çdo sektor, drejtuar nga një ciceron çdo të premte si dhe ofron ekspozitat falas kushtuar një teme ose veprash të veçanta të caktura arti.

 

Muzeu i Historisë Natyrore

Është shtëpia e mrekullueshme e Kensingtonit të Jugut me rreth 80 milionë ekzemplarë bimorë, kafshësh, fosile, shkëmbinjsh dhe mineralesh. Si një institucion kërkimor ashtu edhe një muze përrallor, Muzeu u hap në katedralen romane në rrugën Cromwell në 1881. Bashkimi me të i Qendrës Darvinane në 2009, bën që ndërtesa origjinale të duket ende e mrekullueshme. Që nga viti 1905, dinosauri më i dashur i Londrës, Dippy Diplodocus, mbretëron në sallën Hintze. Pjesa më e madhe e 80 milionë ekzemplarëve të muzeut është vendosur në Qendrën e Darvinit, ku zënë një sipërfaqje prej gati 17 milje (27 kilometra) rafte, ndarë në tetë kate, e cila është gjithashtu shtëpia e shkencëtarëve hulumtues të muzeut.

 

Muzeu Perandorak i Luftës

Salla Qendrore është ambjenti që tërheq vëmendjen me objektet kryesore: armë, tanke dhe avionë të varur nga tavani. Galeria e Luftës së Parë Botërore është zgjeruar dhe çon në ekspozitat origjinale për Luftën e Dytë Botërore. Në katin e tretë, Ekspozita e Holokaustit (nuk rekomandohet nga moshat nën 14 vjeç) gjurmon historinë e antisemitizmit evropian dhe krimet e tij në kampet e përqendrimit. Lart, është një hapësirë minimaliste për krimet kundër njerëzimit (i papërshtatshëm për moshat nën 16 vjeç) në të cilën shfaqet pa pushim një film që eksploron gjenocidin bashkëkohor dhe dhunën etnike.

 

Muzeu Kombëtar Detar

Është i pozicionuar në zemër të Muzeut Mbretëror të Greenwich. Koleksionet janë një thesar i pashembullt i artefakteve, modeleve, hartave, artit dhe kujtimeve dhe falë rinovimit të gjerë, galeritë e tij ofrojnë diçka për të gjithë – nga studentët e historisë detare deri tek të vegjëlit që duan të imagjinojnë se janë në det apo po ndeshen me piratë. Hyrja në këtë muze është falas.

 

Muzeu i Shkencave

Themeluar në vitin 1857, të shtatë katet e ndërtesës përmbajnë ekspozita praktike dhe edukative, shpikje me pamje të çmendura nga e gjithë historia dhe makina me shkëlqim përfshirë modulin e komandës Apollo 10 dhe një simulator fluturimi. Aty paraqiten zhvillimet e shkencës, mjekësisë dhe teknologjisë bashkëkohore. Galeria e Historisë Mjekësore në papafingon e muzeut përmban një koleksion të konsiderueshëm të thesareve të historisë mjekësore. Kinemaja e brendshme IMAX e muzeut shfaq filma shkencorë në 3D, duke i lejuar vizitorët të rrethohen nga hapësira ose të zhyten në thellësitë e oqeanit. Ekspozitat në galeritë e eksplorimit hapësinor përfshijnë teleskopin me rreze X, 600 kg, tre metra të lartë, Spacelab 2, i cili u lançua në misionet hapësinore britanike.

 

Muzeu i Transportit të Londrës

Historia e sistemit londinez të transportit me famë botërore përmblidhet në një muze interaktiv që është argëtues për admiruesit e automjeteve (dhe Londrës) të të gjitha moshave.Transporti i parë publik i licencuar i kryeqytetit ishte karrigia e sedanit, një shembull i së cilës është në ekspozitën e muzeut, por omnibusi i mrekullueshëm i tërhequr me kuaj, i vitit 1805, dizajnet e tij të pikturuara me kufij lulesh mbetet akoma atraktiv edhe sot. Hekurudha e parë e pasagjerëve është ajo nga Ura e Londrës në Greenwich në 1833.

 

Muzeu i Londrës

Historia e Londrës, nga kohët parahistorike e deri më sot, tregohet në Muzeun e Londrës përmes ambienteve të rindërtuara dhe skenave të rrugëve, ekspozitave të artefakteve origjinale të gjetura gjatë gërmimeve arkeologjike të muzeut si dhe një sërë programesh të mbushur me ekspozita të përkohshme, biseda, shëtitje dhe ngjarje për fëmijë.

 

Muzeu i sir John Soane

Projektuesi i Bankës së Anglisë, Galerisë së Fotografive Dulwich dhe shumë ndërtesave të tjera të rëndësishme, arkitekti Sir John Soane gjatë gjithë jetës së tij mblodhi piktura, objekte, mobilje dhe zbukurime arkitekturore duke i përshatur në shtëpinë e tij në Londër. Dhomat modeste u modifikuan nga Soane me pajisje gjeniale për të kanalizuar dhe drejtuar dritën e ditës dhe për të zgjeruar hapësirën, duke përfshirë mure që hapen si dollapë për të shfaqur disa nga pikturat që ai kishte në shtëpinë e tij (Canaletto, Turner, Hogarth). Në shekullin e XIX, ai e ktheu shtëpinë e tij në një muze, në të cilin tha se ‘amatorët dhe studentët’ duhet të hyjnë lirshëm në të.

Burimi: https://www.timeout.com/london/attractions

 

Çdo vit në Tiranë, por dhe me shtrirje në qytete të ndryshme të Shqipërisë, me nismën e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit: “Shqipëria mikpret botën”, zhvillohen aktivitete në kuadër të Javës Kulturore Britanike. Këtë vit, kjo javë është përcaktuar në periudhën 10-16 nëntor 2025.

https://www.facebook.com/share/r/1AbcJwASSZ/

 

Leave a Reply