#Sisot 95 vjet më parë, më 26 janar 1931, trupa teatrore e shkollës Normale të Elbasanit, vuri në skenë dramën e Sami Frashërit, “Besa”. Nuk ishte hera e parë që kjo dramë shfaqej për artdashësit elbasanas, pasi 13 vjet më parë, në 25 korrik të 1918, ajo u vu në skenë nga grupi themelues teatror i qytetit gjë që shënoi një ngjarje kulmore në jetën artistike të qytetti dhe u pasqyrua në shtypin e kohës.
Drama “Besa” e Sami Frashërit, shkruar në osmanisht në vitin 1874 dhe shfaqur për herë të parë në Teatrin Osman më 25 mars 1875, u shndërrua në një manifestim artistik të lëvizjes kombëtare shqiptare. Kjo dramë i tregoi botës së qytetëruar, vitalitetin e një kombi të lashtë liridashës. Drama “Besa”, me një subjekt thellësisht shqiptar, me ngjarje të vendosura në Progonat, një ambient malësorësh të lirë, konsiderohet si paraprirësja e dramës shqiptare. U përkthye në gjuhën shqipe nga Abdyl bej Ypi dhe në 1945 u botua në New York, me përkthimin e saj në gjuhën angleze nga Nelo Drizari. Ajo u vu në skenë nga dhjetëra shoqëri atdhetare shqiptare në Shqipëri dhe kudo nëpër diasporë
#sisot
#almanac
