Sot, më datë 28 korrik 2023, në sallën e bibliotekës, u zhvillua promovimi i librit “Lidhjet e Elbasanit me Çamërinë” i autorit Hyqmet Zane. Në fakt, ky nuk është libri i tij i parë me tematikë çështjen çame dhe personalitite të njohura të kësaj treve. Autori, gazetar prej më shumë se 30 vitesh, ka qenë gjithmonë i ndjeshëm ndaj çështjeve të nacionalitetit dhe sidomos çështjes çame, prej nga buron dhe origjina e tij. Në shkrimet e tij në periodikët lokalë dhe kombëtarë, Zane ka sjellë në vëmendjen e lexuesve ngjarjet më kyç të popullsisë çame, dhe njëherazi me hulumtimet e tij ka nxjerrë në pah të dhëna historike pak ose aspak të njohura deri më sot. Libri më i fundit, “Lidhjet e Elbasanit me Çamërinë” është i konceptuar në katër kapituj në të cilët autori sjell thjeshtë dhe pa shumë ngjyrim emocional të dhëna, fakte, dëshmi, rrëfenja, folklor, shkrime etj. të cilat tregojnë më së miri marëdhëniet e çamëve me elbasanasit, që në vitet e para kur ata u vendosën në Elbasan e deri më sot. Elbasanasit hapën dyert për çamët e dëbuar nga trojet e tyre duke treguar karakteristikat më të mira të tyre, si mikpritja, bujaria dhe toleranca. Për të respektuar dhe përshëndetur punën e shkëlqyer të autorit, në promovim ishin të pranishëm intelektualë, miq dhe familjarë të autorit dhe të personaliteteve të cilët autori i përmend në librin e tij. Nderuan me fjalën e tyre përshëndetëse zv.rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, prof.as.dr Peçi Naqellari, i cili në fjalën e tij e konsideroi librin e Zanes si një referencë për studiuesit e rinj të cilët mund ta përdorin atë për “kërkime më të thelluara drejt të vërtetash të pazbuluara për historinë në përgjithësi, por edhe për historinë apo problematikat e Çamërisë në veçanti”; studiuesi Ahmet Mehmeti, doktor Agron Braho, pedagogu Blendi Himçi, gazetarë, kolegë dhe miq të autorit, si dhe u lexua një letër përshëndetëse e pedagoges dhe njëherazi redaktore e librit, prof. dr. Emine Sadiku. Të pranishmit uruan autorin për librin dhe e nxitën atë që me mbështejen e tyre autori të vijojë studimet dhe botime të tjera në fushë të historisë.
Më poshtë janë fjalët përshëndetëse të zv.rektorit prof.as.dr. Peçi Naqellari, të prof.dr. Emine Sadiku dhe të drejtoreshës së bibliotekës publike, znj. Manola Hatellari.
Fjalë përshëndetëse në ceremoninë e promovimit të librit
“Lidhjet e Elbasanit me Çamërinë” me autor Hyqmet Zane
Përshëndetje!
Të nderuar pjesëmarrës, intelektualë, miq dhe familjarë të autorit dhe të personaliteteve të përmendura në këtë libër!
I nderuar autor i librit, ju falënderoj për ftesën dhe ju përshëndes në emër të personelit akademik të Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” dhe në emër të Rektorit prof. dr. Skender Topi.
Me këtë rast ju shpreh mirënjohjen për të gjithë veprimtarinë tuaj si autor i mjaft botimeve, për veprimtarinë publicistike, botuese, për kontributin tuaj si drejtues, si intelektual i angazhuar, edukator, si organizator i shoqatave dhe veprimtarive të ndryshme për çështjen kombëtare dhe asaj çame në veçanti.
Veprimtaria juaj vijon me njërin prej librave “Lidhjet e Elbasanit me Çamërinë” të cilin ne po e promovojmë sot.
Libri mbështetet vetëm në dokumente të shkruara, në katër pjesët e tij, siç janë librat e mirëfilltë historikë e shoqërorë; i shkruar përgjatë një periudhe disavjeçare dhe është rezultat i kërkimeve të vijueshme në dukuri, ngjarje, zhvillime e personalitete të botës shqiptare në shekullin e 20-të dhe më vonë, të cilat trajtohen mjeshtërisht nga autori ku mund të përmendim:
– Roli i Klubit “Vëllazëria” në Elbasan dhe Çamëri, tregon lidhjet e hershme dhe misionin atdhetar (letërkëmbim 1909 midis Mehmet Sejkos, Musa Demi nga Çamëria dhe Lef Nosit).
– Elbasani mirëpret kohë pas kohe nga të gjitha hapësirat prej vitesh dhe shekujsh.
– Roli i shkollës Normale me djem nga Çamëria, si nxënës, mësues dhe drejtues, si i madhi Salih Çeka etj.
– Përshkruhen shkëmbime kulturore, tradita e zakone, folklor, lidhje miqësie e krushqie etj.
– Tregohen shkrime dhe botime me nivel atdhetarie e kombëtare për Çamërinë, Elbasanin e Shqipërinë, si kontribut për brezat.
– Shumë figura dhe personalitete shkencore (prej shekullit të kaluar deri sot si vetë autori i librit, Ahmet Mehmeti, elbasanas si Filip Papajani, Ahmet Dakli, Sulë Dedej etj.) kanë trajtuar dhe paraqitur studime për çështjen çame.
– Në vitin 1913 nga mitingu i Elbasanit dërgohet telegram për konferencën e Ambasadorëve në Londër lidhur me gjenocidin grek.
– Në vitet ’20 gazetat “Shkumbini”, “Ku vemi”, “Ura e Shkumbinit”, si zëdhënëse të kërkesave legjitime për problemin e Çamërisë.
– Me ngrohtësi u pritën nga Elbasani shqiptarët e Kosovës në vitet 1930-1940 dhe të Çamërisë në vitet 1944-1945.
– Njerëz të thjeshtë dhe personalitete dhanë kontributin e tyre në luftën antifashiste, ndërtimin dhe drejtimin e vendit si Tahir Demi etj.
– Personalitete dhe figura kontribuan në tranzicionin demokratik të vendit dhe vijojnë për ecurinë dhe forcimin e demokracisë, shumë nga të cilët janë në këtë sallë…
– Autori jep vlerësimin e të shkuarës për historinë, ngjarjet dhe personalitetet mbi bazën e dokumenteve dhe të burimeve në nivel kombëtar dhe rajonal. Dukuritë dhe zhvillimet historike kushtëzojnë njëra-tjetrën dhe janë të lidhura midis tyre, pavarësisht kronologjisë (për shembull Klubi “Vëllazëria” etj.).
– Kontributi i autorit është se na informon për të vërteta, si të njohim më thellë dhe na jep kurajo të qortojmë edhe historinë.
– Në paraqitjen e materialit autori ndjek disa parime pa armiqësi apo paraqitje vetëm bardhë e zi për figura dhe ngjarje historike (kështu duhet të vijohet).
– Me këto parime dhe metodologji të kryhen studime dhe vlerësime të figurave dhe ngjarjeve edhe në vijimësi.
– Studiuesit e rinj kanë edhe këtë libër për kërkime më të thelluara drejt të vërtetash të pazbuluara për njohje apo dituri të reja, për historinë në përgjithësi, por edhe për historinë apo problematikat e Çamërisë në veçanti.
– Libri është një burim shumë i mirë reference për studiues të lidhjeve midis Elbasanit dhe Çamërisë.
Libri dhe botimet e tjera të autorit, përbëjnë një kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm për historinë dhe vlerat e Elbasanit dhe Çamërisë, por për gjithë kombin shqiptar.
Këto libra domosdo që e kanë vendin në bibliotekat tona, për të qenë gjithnjë të referueshëm dhe të përdorshëm për studiuesin e interesuar.
Ju faleminderit dhe suksese! Prof. as. Dr. Peçi NAQELLARI
Zëvëndësrektor i
Elbasan, 28 korrik 2023 Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”
______________________________________________________________________________________________________________________
Elbasan, 28. 07. 2023
Përshëndetje!
Jemi mbledhur sot për promovimin e librit të mikut të kahershëm të bibliotekës sonë z. Hyqmet Zane “Lidhjet e Elbasanit me Çamërinë”. Është një libër me vlera të vecanta si historike ashtu dhe etnokulturore, ku autori nxjerr në dritë të vërtetat historike mbi Çamërinë dhe sidomos lidhjet e hershme me Elbasanin, duke shpalosur gjithë kujtesën historike dhe artistike me mirënjohje të vecantë e të merituar për Elbasanin dhe elbasanasit të cilët pritën, strehuan dhe ndihmuan popullsinë çame.
Shumë personalitete të Elbasanit që në hershmëri i kanë dalë publikisht në mbrojtje Çamërisë. Ndër to mund të përmendim Lef Nosin, i cili ka qenë gjithmonë krah çamëve, këtë e përmend dhe autori në libër. Gjithashtu kemi ushtarakun Sali Hida i cili në 1913 bashkë me Isa Boletinin, iu kundërvu vendimeve të padrejta të Konferencës së Londrës për shkëputjen e Kosovës, Çamërisë e viseve të tjera. Përmendim Filip Papajanin, publicist, drejtues i gazetës së parë të shtypur në Elbasan “Shkumini” 1921, në faqet e së ciles ka trajtuar me dhembshuri dramën çame. Një figurë tjetër që ka ngritur zërin për mbrojtjen e tyre ka qenë dhe atdhetari elbasanas i lagjes Kala, Vasil Andoni e shumë personalitete të tjera.
Që në faqet e para autori shkruan: “Elbasani historikisht është qyteti që i ka mirëpritur kohë pas kohe dhe me bujari të ardhurit nga hapsira të tjera të territorit të kombit shqiptar.”
Dy kapitujt e fundit të librit autori ia dedikon publicistit, demokratit, personalitetit të kulturës dhe arsimit kombëtar Salih Çekes, i cili ka qenë drejtor në Normale, më 1921, kryeinspektor arsimi në Elbasan 1922, inspektor në Ministrinë e Arsimit më 1923 e shumë funksione të tjera. Kontributi i tij në këto fusha është prezent në raftet e bibliotekës sonë përkatësisht me materialet: Gazeta “Ku Vemi”, drejtuar nga ai vetë, ku shumë artikujt të shkruar prej tij prekin problemet e arsimit dhe kulturës. Kontributi i tij për arsimin kombëtar shpaloset mjaft mirë dhe te “Revista Pedagogjike” bot. i vitit 1922.
Ja pra të tilla janë bibliotekat “Kujtesa të Kombeve”. Dhe ne sot, kemi nderin dhe kënaqësinë të kemi në raftet e bibliotekës qe sapo mbushi 89 vjet të egzistencës së saj, librat e mikut tonë, Hyqmet Zane, me titujt: “Kosova dhe Çamëria” botim i vitit 2009, “Çamëria toka pa njerëz, njerëzit pa tokë” botim i vitit 2020, “Çamëria dhe Kosova – genocid pa ndëshkim” botim i vitit 2021, si dhe librin “Lidhjet e Elbasanit me Çamërinë” botim i vitit 2023. I urojmë autorit shëndet dhe suksese në rrugën e studimeve dhe hulumtimeve të mëtejshme për t’i lënë trashëgim brezave kujtesën tonë historike.
Manola Hatellari
