Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Nobelisti Coetzee në raftet tona

John Maxwell Coetzee është përkthyer edhe në shqip. Tre titujt e mëposhtëm, janë pjesë e fondit të Bibliotekës sonë. Duke jua rekomanduar për lexim, po ju sjellim dhe një përmbledhje të shkurtër të përmbajtjes për secilin tyre:

Turpi: roman / J.M. Coetzee; shqipëroi Klodian Briçi, Tiranë: Skanderbeg Books, 2006, 238 f.

David Luri, profesor për vite me radhë në një universitet në Kejp Taun, Afrikë e Jugut, është një burrë rreth të pesëdhjetave, dy herë i shkurorëzuar dhe që ka një lidhje të zjarrtë dashurie me një studenten e tij. Por, është pikërisht kjo histori, që do të trondisi qetësinë e jetës së tij. Atë e denoncojnë dhe e vënë përballë një komisioni hetimor, duke e akuzuar për pedofili.

Ai e pranon faktin, por e hedh poshtë propozimin për t’u penduar. David tërhiqet nga puna e rehatshme në universitet dhe shkon tek e bija, Lusi, e cial jeton në një fermë diku larg. Për njëfarë kohe, ndikimi që ushtron e bija dhe jeta natyrore e fermës, i japin mundësi që të gjejë një lloj paqeje me jetën e tij të trazuar. Por, megjithë këto, ai nuk e ka të mundur të përshatatet plotësisht me jetën e fshatit.

Aty, në fermë, ai me Lusin bëhen pre e një sulmi të egër dhe të rëndë, sulm, që më pas, rregullon njëherë e mirë marrëdhëniet e tyre të cunguara at e bijë.

 

I ngadalti : roman / J. M. Coetzee ; përktheu Myrteza Shini. – Tiranë: Skanderbeg Books, 2007. – 216 f.

Fotografi Pol Reiment humbet këmbën në një aksident me biçikletë. Nga ai çast jeta e tij ndryshon në mënyrë të pakthyeshme, pavarësisht dëshirës së tij. Pasi refuzon me kokëfortësi vënien e protezës, Poli kthehet i vetmuar në apartamentin e tij në Adelaide.

Ai nuk e duron dot varësinë që ka tani prej të tjerëve; kjo jetë e re është dëshpëruese për të. Në mes të dhimbjes për gjashtëdhjetë vitet e jetës që ka lënë pas, gjendja shpirtërore merr një kthesë të menjëhershme, kur bie në dashuri me Marijanën, infermieren që kujdeset për të në shtëpi, një kroate tepër realiste, e cila bën sa mundet për mbarëvajtjen e familjes së saj në një vend të huaj.

Teksa Poli përpiqet të gjejë mënyrën e duhur për t’i fituar asaj zemrën, në shtëpi i shkon për vizitë Elizabet Kostelo, e cila e fton Polin për të marrë një rol më aktiv në jetën e tij. “I ngadalti” është një meditim i thellë për natyrën njerëzore, për kuptimin e plakjes dhe reflektimin mbi mënyrën se si kemi jetuar.

Përpjekjet e mundimshme të Pol Reimentit janë zëri i pastër dhe i pakompromis i Coetzees. Rezultati është një histori tepër prekëse për dashurinë dhe vdekjen, e që e mahnit lexuesin në secilën faqe të këtij libri.

 

Askund : roman / J. M. Coetzee ; përktheu Zymber Elshani. – Tiranë : Skanderbeg Books, 2010. – 200 f.

I ndrydhur në jetën e plogështisë koloniale dhe i zënë në grackën e një rrjete trysnish, një fermer i pafuqishëm e vetmitar, gjen prehje në krahët e nje gruaje me ngjyrë, që është shërbyesja e tij. Por kur e bija, Magda, një beqare e dëshpëruar, nis të ndiejë turp nga kjo, përplasja i jep fund paqes mes tyre.

Protagonistja e këtij romani të J.M. Coetzee fillon ta shohë jetën prej vendit, nga kur gjer në atë kohë ka qenë e përjashtuar. E shpërfillur nga një baba i pashpirt, e ndrojtur prej shërbëtorëve të saj, ajo, një grua e zgjuar por e zemëruar, prej neverisë dhe dëshpërimit, vendos të mos jetë më  “një e harruar nga historia”.

Prej flirtit të të atit me shërbëtoren, ky vendim shndërrohet në një akt hakmarrjeje, që shpjegon reaksionin social që ndodh mes kolonizatorëve dhe të kolonizuarëve, mes joshjes evropiane dhe realitetit afrikan. Ajo çka ndodh më pas, është rrëfimi pasional i një gruaje dhe përgjigjia e dhunshme e një Afrike përjashtuese. Ky është një roman me fuqi të papërmbajtshme, me një siguri të pagabueshme, ku romanca dhe jeta familjare janë kthyer në një pasqyrë të marrëdhënieve me sfond kolonial.

 

Leave a Reply