George Gordon Byron (Xhorxh Gordon Bajron) shkrimtar anglez, përfaqësues tipik i romantizmit europian, lindi në Londër #sisot më 22 janar 1788. Në fillimshekullin e XIX-të, udhëtimet në një vend ekzotik si Shqipëria po shndërroheshin në një farë mode për anglezët, të cilët kërkonin aventura dhe dalje nga një jetë rregullash shumë të forta dhe kodesh të pathyeshme drejt “lirisë”, ku natyra kishte falur pa kursim ngjyrat, relievet, larminë pa kufi brenda territoresh të kufizuara. Një ndër udhëtarët shëtitës ishte Lordi Bajron, aq i njohur për të gjithë shqiptarët për gjithçka që shkruajti për ne në poemën e tij “Udhëtimet e Çajld Haroldit”, ku romantizmi dhe ekzaltimet nga natyra rebele shqiptare duket se kanë ndikuar dukshëm në portretet e detajuara.
Në letrën e tij dërguar nënës, ai përshkruan veshjet e shqiptarëve si “veshja më madhështore në botë”. Bajroni, dashamirës i shqiptarëve, vuri një gur të rëndë themeli në historinë tonë me përshkrimet e tij për suliotët, Ali Pashë Tepelenën, shqiptarët trima e të paepur, si dhe vendin që zinin ata në raport me grekët e kohës, etj. Vepra e Bajronit na jep një pamje interesante mbi ndërtimin e marrëdhënieve shpirtërore (ende jo diplomatike) midis shqiptarëve dhe anglezëve.
Shënim: Portreti i Lordit Byron i pikturuar nga Thomas Philips vlerëson poetin e njohur në kostumin tradicional shqiptar. (Galeria Kombëtare e Portreteve, Londër). Bajroni e ka blerë këtë kostum shqiptar në vitin 1809 ndërkohë që po bënte turneun e madh europian bashkë me mikun e tij John Hobhouse. Ai ka pozuar me të për këtë portret në vitin 1813, kur ishte njëzet e pesë vjeç.
