Kujtojmë sot, në përvjetorin e lindjes, një grua fisnike, një intelektuale nga të rrallat, një “institucion” të promovimit të krijuesve, sidomos më të rinjve, shkrimtaren e mirënjohur për fëmijë, Shpresa Vreto.
Krijimtaria e Vretos ishte e thjeshtë, e ndjerë, gjithnjë pranë së vërtetës; asaj nuk i munguan asnjëherë gjetjet interesante. Përmendim: “Ajo këngë ishte për mua”, “Syri i kaltër”, “Ditë me diell”, “Shokë shkolle”, “Kështu është bukur”, “Krahu i thyer”, “Banorët e vegjël të qytezës së madhe”, “Vit i paharruar”, “Dëbora e madhe”, “Aventurat e shigjetarit të vogël”.
Nga tregimi te vizatimori apo skenari për film artistik, përkthimet e botimet, Vreto tregoi shumë pasion e ndjeshmëri për letrat dhe për filmin, për kolegët dhe në veçanti për fëmijët.
Në vitin 1978 shkroi skenarin e filmit vizatimor “Mi-re-la”. Në profilin e saj si skenariste, të binte në sy qëndrimi i saj social dhe njerëzor. Skenari i filmit “Fillim i vështirë” mbështetur në romanin e saj “Vit i paharruar”, tregon për një trajtim të problematikave shoqërore jashtë kornizave të kohës. E njëjta qasje, shumë e përparuar për kohën, u pasqyrua edhe në filmat ku ajo kontribuoi si skenariste, “Kur xhirohej një film” dhe më pas te “Një vajzë dhe një djalë” (bashkëpunim me Petrit Rukën).
Shpresa realizoi anëtarësimin e vendit në një organizatë botërore shumë të rëndësishme si IBBY (Bordi Ndërkombëtar i Librit për Fëmijë e të Rinj). Ajo ishte nismëtare e çeljes së bibliotekës së parë jo-publike për fëmijë në Tiranë, të cilën e drejtoi për 12 vjet, si dhe themeloi gazetën letrare për fëmijë “Sirena e vogël” dhe revistën për të rinj “Bota ime”.
Për një kohë të gjatë punoi gazetare dhe redaktore në RTSH, me emisionet për fëmijë, kryeredaktore në revistën “Fatosi” dhe më vonë punoi në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë si përgjegjëse në sektorin e letërsisë për fëmijë.
Në praktikën e saj të punës, sidomos në kohën kur ishte kryeredaktore e revistës “Fatosi” ajo i kushtoi vëmendje mbrojtjes dhe promovimit të krijuesve të rinj duke i inkurajuar dhe dhënë dorën atyre. Shpresa Vreto mbajti gjallë frymën e diskutimit letrar dhe të bibliotekës, ajo e lidhi letërsinë tonë me botën.
Personaliteti i Shpresa Vretos, për këdo që ka punuar me të, ose e ka njohur nëpërmjet krijimtarisë së saj, librat dhe skenaret e saj janë tashmë pjesë e përvojës dhe pasurisë kulturore të vendit dhe do të mbeten gjatë në piedestalin e figurave me të cilat krenohemi në çdo kohë.
Burimi kryesor: https://flasshqip.ca/kulture/letersi/796-fjale-per-shkrimtaren-shpresa-vreto
Shikoni filmin e animuar “Mi-re-la”, prodhim i vitit 1978, me skenar të Shpresa Vretos.
