Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Nata e Wiesel – drita e së vërtetës së Holokaustit

Sot, më 27 janar, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, paraqesim një aktivist të të drejtave të njeriut, gazetar, shkrimtar, të mbijetuarin e kampit famëkeq të Aushvicit, laureatin e Çmimit Nobel për Paqen (1986), Eli Vizel (Elie Wiesel). Ai ishte vetëm 15 vjeç kur trupat gjermane e detyruan me forcë atë dhe familjen e tij të braktisnin shtëpinë e tyre në Rumani për t’i internuar në kampin e përqëndrimit të Aushvicit. Babai, nëna dhe motra e tij më e vogël vdiqën të gjithë në duart e nazistëve. Vizeli i ri i mbijetoi punës së detyruar, marshimeve të detyruara, urisë, sëmundjeve, rrahjeve dhe torturave për t’u bërë një shkrimtar, mësues dhe zëdhënës i njohur për popujt në mbarë botën. Ai njihet më së miri si dëshmitari më elokuent i katastrofës së madhe së cilës i dha i pari emrin Holokaust.

Pas luftës, Eli Vizel vendosi t’ia tregonte botës historinë e tij. Libri i tij “Natë” është një nga rrëfimet më klasike të Holokaustit. Gjatë gjithë jetës së tij ai nuk rreshti së rrëfyeri për ngjarjet dhe torturat çnjerëzore në kampin nazist. Motoja e tij ishte që, nëpërmjet rrëfimeve të tij, t’u dëgjohej zëri dhe atyre të mbijetuarve që nuk arrinin të shpreheshin, në mënyrë që e gjithë bota të mësonte për këto ngjarje të tmerrshme, të ndëshkonte fajtorët, e të mos e harronte këtë pjesë të historisë njerëzore në mënyrë që të mos përsëritej më.

Ndikimi i Eli Vizelit në politikën botërore ka qenë i një rëndësie të veçantë, pasi qëndrimi i tij ka diktuar jo pak herë rrjedhën e ngjarjeve në arenën ndërkombëtare. Ai u shndërrua në një engjëll amerikan për Kosovën kur Amerika ende dyshonte në ndërhyrjen humanitare dhe ushtarake të NATO-s. Me kërkesë të presidentit të atëhershëm amerikan, ai erdhi në kampet e shpërnguljes në Maqedoni dhe Shqipëri, për t’i vizituar kosovarët, i pa ato nga afër, përjetoi dhe ndjeu dhimbjet e tyre duke rikujtuar të vetat e gjysmë shekulli më parë. Me ndjeshmërinë, intuitën dhe forcën e një njeriu që i kish kaluar vetë të tilla vuajtje, që ishte totalisht kundër genocidit të çdo lloj forme dhe që nuk justifikonte asnjë padrejtësi ndaj asnjë qënieje njerëzore, ai përgatiti një raport mbi vuajtjet dhe gjendjen e kosovarëve që takoi nëpër çadra ku ata strehoheshin pas shpërnguljes gjatë luftës. Këtë raport ia dërgoi Shtëpisë së Bardhë …

Pak ditë më pas, ndodhi çlirimi i Kosovës.

Vetë Bill Klinton, vite më vonë, ka thënë: “Ka qenë një forcë e vetme që e ka ndryshuar rrjedhën e politikës amerikane. Ajo forcë quhet Eli Vizel.”

Libri i tij, “Natë”, është sjellë në shqip, përkthim i variantit frëngjisht, nga Edvin Shvarc, botuar në 2007 nga ABC dhe në 2018 nga Botimet Nazarko.

Burimi: https://achievement.org/achiever/elie-wiesel

 

Leave a Reply