Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Brontë dhe Xhejn Er, dy femra që bënë epokë

Në 210-vjetorin e lindjes të një ndër penave më të fuqishme të klasikëve britanikë, Sharlotë Brontë (Charlotte Brontë), sjellim romanin e saj të parë “Xhejn Er” (Jane Eyre, an autobiography ang.) që shënoi kthesë në mendësinë dhe letërsinë angleze të kohës duke sjellë revolucion në atin e rrëfimit. Stili i librit kombinon romantizmin, natyralizmin dhe melodramën gotike; ai hapi një rrugë të re me perspektivën femërore në vetën e parë. “Xhejn Er” përmban nxitje revolucionare, të pamoralshme dhe antifetare. Falë tij, autorja Sharlotë Brontë konsiderohet si “një nga historianet e para të ndërgjegjes individuale” dhe pararendësja letrare e shkrimtarëve si Xhojsi dhe Prusti.

“Xhejn Er” është historia e një jetimeje të zgjuar dhe plot temperament, e cila përtej pamjes së saj dhe braktisjes nga të afërmit e saj, ajo lufton e patundur për një jetë të pavarur e dinjitoze. Xhejni do të kërkojë lumturinë me ngulmin e një shpirti rebel, por pa pranuar kurrë të bëjë kompromis me moralin e saj. Rrëfimi i apasionuar rrotullohet rreth historisë së dashurisë së Xhejn Erit me punëdhënësin e saj, zotin Roçester, një aristokrat arrogant dhe hijerëndë.

Brontë skaliti një figurë heroike të panjohur më parë, e cila, falë integritetit virtuoz, intelektit të mprehtë dhe këmbënguljes së palodhur, arriti të çante përmes barrierave të klasave sociale për të fituar një pozicion të barabartë me njeriun që dashuronte. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse kaq shumë njerëz e duan Xhejnin: ata identifikohen me të. Ajo nuk është e bukur, shtatlartë apo e hijshme. Ajo është një vajzë fare e rëndomtë, nga ato që nuk bien në sy. E megjithatë, ajo gjen lumturinë romantike. E paraqitur si një vajzë e imët dhe e zbehtë, që nuk i pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes, në të vërtetë Xhejn fsheh një karakter pasionant dhe të fortë. Një guxim i fshehur nën rrobat e zeza dhe një karakter i butë. Forca e madhe e kësaj vajze qëndron në daljen kundër stereotipeve të kohës.

Romani është një autobiografi e Sharlotës së re dhe nuk është thjesht një histori dashurie, por një himn i vërtetë për pavarësinë e femrës.

I ekranizuar më shumë se çdo klasik i shekullit XIX, “Xhejn Er” konsiderohet ende sot, një nga veprat më të hijshme të letërsisë angleze.

Leave a Reply