Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Në 186-vjetorin e lindjes së shkrimtarit anglez Tomas Hardi (Thomas Hardy ang.) sjellim për ju disa kuriozitete interesante rreth jetës dhe veprimtarisë së tij.

Hardi, një shkrimtar anglez në traditën realiste viktoriane, është autor i katërmbëdhjetë romaneve, tetë vëllimeve me poezi dhe tre vëllimeve me tregime të shkurtra.

E ndërpreu edukimin në moshën 16-vjeçare, kohë kur mori rolin e një ndihmës arkitekti me emër të kohës dhe pati sukses në fushën e arkitekturës për 16 vjet të tjerë, para se të hiqte dorë për t’u përqendruar përfundimisht në shkrim.

Ndërsa punonte si arkitekt, Tomas Hardit iu ngarkua si detyrë që të merrej me zhvendosjen e trupave nga varrezat në Kishën e Vjetër të Shën Pankrasit në Londër për t’i hapur rrugën një linje të re hekurudhore. Pasi zhvendosi të gjitha mbetjet, ai i vendosi të gjitha gurët e varreve rreth një peme aty pranë, e cila tani quhet “Pema Hardy” e cila ofron një pamje mjaft të çuditshme dhe sugjestionuese.

Tomas Hardi u nominua për Çmimin Nobel në Letërsi çdo vit nga viti 1910 deri në vitin 1914, përsëri në vitin 1920 dhe nga viti 1922 deri në vitin 1927, në një total prej 25 nominimesh. Romanet e tij ishin vlerësuar kryesisht nga kritikët letrarë, por Hardi në fakt nuk e fitoi kurrë Çmimin Nobel. Dhe ndoshta kjo ndodhi për të mirën e tij, pasi, shumë shkrimtarë të talentuar kanë patur vështirësi në të shkruar pas marrjes së çmimit prestigjioz. Gjithsesi, ai u vlerësua me një Urdhër Merite (Order of Merit ang.) në vitin 1910.

Hardi kishte një natyrë miqësore me shumë shkrimtarë të tjerë të famshëm bashkëkohorë, ndër të cilët ishte dhe Virgjinia Ulf (Virginia Woolf ang.).

Hardi e konsideronte veten më shumë poet sesa romancier. Pas vdekjes, poezia e Hardit është vlerësuar më shumë dhe atij i njihet merita për ndikimin e poetëve të tillë si Robert Frost dhe Dilan Tomas.

Hardy shkroi një poezi për të mbledhur para për të mbijetuarit e Titanikut dhe familjet e viktimave. Pasi Titaniku u fundos më 15 prill 1912, Hardi shkroi një poezi për një fond të krijuar për të mbijetuarit dhe familjet e viktimave, ku përshkruan takimin fatal të anijes dhe ajsbergut dhe u botua në The Fortnightly Review në qershor të atij viti. Poema u ribotua në 100-vjetorin e fundosjes së anijes.

Tomas Hardi u ndikua shumë nga Çarls Darvin. Kur Darvini botoi “Prejardhja e llojeve” (1859), bota intelektuale u trondit dhe vetë Hardi ishte një nga ata që u prekën thellësisht nga kjo vepër. Teoria darviniane sugjeron që forcat që sundojnë jetën janë rastësia, domosdoshmëria dhe mbijetesa e më të fortit, jo morali viktorian apo paracaktimi hyjnor, tema këto që janë të përhapura në shkrimet e Hardit.

Duket e çuditshme ta pohosh, por, Tomas Hardi është varrosur në dy vende të ndryshme. Dëshira e tij ishte të varrosej me gruan e tij të parë, Emën, por, duke qenë se Tomas Hardi arriti një status të lartë si shkrimtar, publiku donte që ai të varrosej në Këndin e Poetëve të Abacisë e Uestminsterit (Westminster Abbey ang.), vendvarrim ky për shumë shkrimtarë klasikë anglezë, si Dikens, Xhejn Ostin dhe Shekspir. Kështu, gruaja e dytë e Hardit, Florenca, bëri një kompromis: zemra e Hardit do të hiqej dhe do të varrosej me Emën. Pjesa tjetër e trupit të tij do të digjej, dhe hiri i tij do të varrosej në Abacinë e Uestminsterit.

Leave a Reply