Filip Shiroka lindi në Shkodër #sisot më 3 gusht 1859. Aty kreu shkollën italiane të qytetit. Më vonë punoi si libralidhës. Në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte një ndër pjesëmarrësit e saj. Për t’u shpëtuar ndjekjeve të qeverisë osmane, më 1880 u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Egjipt. Aty kaloi pjesën më të madhe të jetës, ku dhe u lidh me lëvizjen e emigrantëve shqiptarë dhe filloi të shkruante vjersha. Disa vjet punoi në Bejrut të Libanit, me përkrahjen e Pashko Vasës. Me Çajupin e lidhte një miqësi e ngushtë. Vdiq në Bejrut më 14 nëntor 1935.
Vjershat e tij, të shkruara në vitet 1896-1903, i përmblodhi në vëllimin me titullin “Zani i zemrës”. Në vjershat e tij më të mira që i kushtohen mallit për atdhe ose misionit të poetit, gjejmë çiltërsi e rrjedhshmëri vargu. Melankonia dhe humori i hollë i përshtaten tepër Shirokës, që me vjershat e këtij lloji sjell një notë vetjake në poezinë tonë të Rilindjes.
Poezia e tij, “Si po prishet gjuha shqype”, sjell më së miri stilin e tij të të shkruarit, ku nëpërmejt sarkazmës dhe autoironisë Shiroka dënon një dukuri të kohës që fatkeqësisht qëndron aktuale dhe sot.
Si po prishet gjuha shqype?…
(1898)
Gjyshat tonë, eh paçin dritë!
Njerz koktrashë, kurgja s’kanë dijtë:
Jan kenë t’hutuemun!…
Ata t’mjerët s’kan dijtë at hera,
as buon giorno, as kali spera,
as sabah sherif teheir-ollsun!
Na sot jem për t’u lavdue,
dijmë me folë, me bisedue
nga mendja jem holluemun!
Çojmë n’dhe t’huej djalin m’u msue,
kombin tonë m’e përparue,
dhen tonë m’e nderuemun;
Rri n’shkollë djali pesë – gjashtë vjet,
kur vjen n’Shkodër, shqyp nuk flet,
Shqypen ka harruemun!!!!
Kur flet shqyp, asht çud m’e ndi
Gjys-për-gjys tue e përzi
me fjalt t’gjuhve t’hueja!…
Thotë: me thanë la verita
ktu në Shkodër sot diçka
janë civilizuemun…
La gioventu ka studiue
di me folë, me ragionue
po m’vjen mirë: bravissimo!
Veramente, n’shkolla t’hueja
me kenë me studiue dhe grueja,
kish me u ndritë il popolo,
Se n’dhe t’huej asht rispettata,
grueja asht emancipata,
nuk asht schiava e burrave!…
Dhe kah ana e Toskenis
ku janë shkollat e Greqis,
çud asht me i ndigjuemun;
Atje Toska t’thotë gjithhera:
mirëmbrëma, kali imera
si të kam, kalla mu ise?!
Thuej: ç’po bahet nga Greqija?
T’thotë: atje është elefterija,
bota është e gëzuarë!!!
Nga Jakova e nga Pesrendi*,
n’Stara Serbia(?!) ku i krishteni
msohet n’shkolla t’serbëve,
Tue folë shqyp t’thotë me pahir:
si je brate, nadja e mirë,
dobro utro, kakoti?…
E kshtu gjuha po shëmtohet,
dhe kshtu kombi po mjerohet
nga shkollat e hueja!…
*) Prizreni
____________________________________________________
Në lidhjen e mëposhtme mund të lexoni në formatin digjital botimin origjinal të vitit 1933 të vëllimit poetik:
Zâni i zêmrës: vjersha / Filip Shiroka, Tiranë: Botimet “Nikaj”, 1933
