Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

KUSH?

Një poet dhe një fajdexhi shëtisin krah për krah. Thotë poeti:
– Ç’ke atje nën sqetull? Dhe fajdexhiu duke i shtrënguar “defteret” e tij të trashë përgjigjet:
– Këtu brënda janë “hesapet” e mi. Këtu brënda janë shkruar qindra mijra e mijra franga dhe tërë “punët” e mia… Mirëpo, as më thua, o mik i dashur, ti ç’ke atje nën sqetull? Ç’janë ato deftere?
Dhe poeti, duke shtrënguar librat e tij, thotë:
– Këtu brënda edhe unë kam hesapet e mia, domethënë qindra mijra vargje lirike që më ushqejnë.
– Oh, si, si? Të ushqejnë vargjet! Mos fol marrëzira tani…
– Të lutem, zoti fajdexhi,mos u çudit! Po, as me thua, zotrote ç’i do këto “hesape”, ç’i do këta emra të shumtë që mbushin “defterët” e tua?
– Që thua zotrote, këtu brënda janë hesapet e parave. Para, mor mik! Para! Pa para nuk shkohet… Dhe unë, tani që do të shkoj në shtëpi, do të rri pak orë sa të bëj hesapet e fitimeve të ditës. Pastaj do të përkëdhel disa “napolona” sa të më zërë gjumi. Po nuk zura para me dorë, po nuk i pashë verdhushkat të grumbulluara, nuk më zë fare gjumi… Po ty, o lumë, si të zë gjumi. Si flë i qetë, kurse s’ke asnjë qindarkë në xhep?
Poeti shtrëngon mê me fuqi librat e tij, heq krahun nga fajdexhiu dhe thotë:
– Dhe unë, po nuk këndova disa strofa, nuk flë i qetë. Më pëlqen që, çdo darkë, të shtrihem në shtrat dhe të lexoj vjersha të ndryshme, Ato më ushqejnë, më japin dritë, jetë!
Dhe, duke u ngjatjetuar, u ndanë. Njëri: me “paratë” nën sqetull; tjetri: me vjershat nën sqetull.
Njëri natën do të përkëdhelte flori, ndërsa tjetri do të këndonte “vargje”. Që të dy jetonin… Po kush do të flinte më i qetë? Kush do ta bënte gjumin më të ëmbël? Kush do të mbyllte sytë me ndërgjegje të pastër? Poeti apo fajdexhiu?
Kush?…
Gazeta “Shtypi”, nr, 35, dt, 30 Qershor 1937
– Petro Marko –

Leave a Reply