A e dini se …
Kur Edgar Alan Poe (19 janar 1809 – 17 tetor 1849) ishte i ri, ai identifikohej ngushtë me poetin romantik anglez Lord Bajron. I njohur si “i çmendur, i keq dhe i rrezikshëm për t’u njohur”, Bajroni ishte një shkrimtar jashtëzakonisht popullor dhe kontravers, i cili kultivoi imazhin e një artisti të keqkuptuar në kundërshtim me pjesën tjetër të botës.
Nga ana tjetë, ndikimi i Edgar Alan Poes në letërsi ka qenë i jashtëzakonshëm. Nga Franz Kafka te Charles Baudelaire dhe Jules Verne, shkrimet e tij kanë frymëzuar një sërë autorësh të mirënjohur.
Megjithatë, nuk janë vetëm shkrimtarët që janë ndikuar nga Poe. Një i tillë, vjen nga bota e kinemasë, ku legjenda e Hollivudit Alfred Hitchcock do të shprehej: “Ishin pikërisht historitë e Edgar Alan Poes që më pëlqyen aq shumë dhe më frymëzuan që unë të bëj filma horror e që sot janë kryevepra të kinematografisë botërore“.
Edgar Alan Poe është një nga shkrimtarët amerikanë më të rëndësishëm të të gjitha kohërave, i cili u bë i njohur veçanërisht për ‘anën e errët’ të karakterit të tij, gjë që e reflektoi edhe në veprat; poezitë e veçanërisht prozat e tij të shkurtra, të cilat përshkohen nga fshehtësia, thrilleri dhe misteri duke e bërë atë unik dhe të papërsëritshëm.
