Në datat 3, 4 dhe 5 prill, Biblioteka e Fëmijëve pranë Qendrës Kulturore për Fëmijë, hapi dyert për fëmijët e kopshteve të qytetit në takime tërësisht të veçanta ku protagonistë ishin vetë fëmijët. Konceptuar si “Java e Librit për Fëmijë”, organizatorët, të cilët ishin Bashkia dhe Biblioteka e Fëmijëve, kishin si qëllim të sillnin fëmijët më pranë librit, që ata të familjarizoheshin me bibliotekën dhe të kuptonin se mund t’i zgjidhnin vetë librat që dëshironin. Nën moton “Në krahët e imagjinatës kalojmë dete e oqeane” në takim u lexuan pjesë nga përrallat më të dashura për fëmijë, poezi në vargje, fabula etj. Fëmijët nga ana tjetër, të udhëhequr nga edukatoret e tyre, kishin përgatitur postera shumëngjyrësh si dhe gjëegjëza, të cilat ua tregonin njëri-tjetrit dhe gëzonin kur dikush hamendësonte gabim apo e gjente atë. Ata, gjithashtu interpretuan thënie dhe vjersha me mesazhe për librat. Nuk munguan edhe prindër të fëmijëve të grupeve më të vogla, të cilët me dëshirën e tyre lexuan fragmente përrallash, fabula apo poezi për fëmijë. Punonjëset e bibliotekës u treguan fëmijëve shkurtimisht rreth librit, bibliotekës, kënaqësisë së shfletimit dhe leximit të librave etj. Në këtë aktivitet 3 – ditor, organizuar për herë të parë në bibliotekën tonë, morën pjesë 16 kopshte dhe 5 klasa përgatitore të qytetit. Në fund, secili kopësht hapi kartelë dhe huazoi libra në sasi të konsiderueshme për t’i shfrytëzuar për lexim në grupmoshat e ndryshme.
