Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

11 tetor – Dita Ndërkombëtare e Vajzave. Një ditë për të sensibiluar shoqërinë në njohjen e të drejtave të vajzave dhe sfidat unike me të cilat ato përballen në mbarë botën.

Në foto, fragment nga filmi “Përtej mureve të gurta”. Një prodhim i vitit 1979, me një lojë brilante aktorësh të përzgjedhur, nën drejtimin e regjisorit Gëzim Erëbara dhe skenar të Dhimitër Xhuvanit, ky film tregon në pjesën e parë të tij për jetën në familjet shqiptare të Shqipërisë së Mesme në vitet 30-të të shekullit të kaluar. Xhirimet janë realizuar kryesisht në Elbasan dhe janë një dëshmi e rrallë e mënyrës së jetesës, zakoneve, traditave dhe folklorit elbasanas të atyre viteve si dhe e tregut, dyqaneve dhe punishteve të zejtarëve. Në film trajtohet dhe mentaliteti i shoqërisë shqiptare të kohës, në të cilën vajzat ndjeheshin të dobëta, të shtypura, pa të drejtë shkollimi dhe emancipimi. Një ndër personazhet kryesore të filmit, mban në duar librin “Sikur të isha djalë”, në të cilin shprehet akoma më mirë mentaliteti i kësaj shoqërie të dominuar nga normat patriarkale. Romani, i paraqitur në formën e ditarit të një vajze të re, Dijes, një vajze inteligjente dhe me ndjenja të thella për lirinë dhe të drejtën për të zgjedhur vetë fatin e saj është një thirrje e fuqishme për barazi gjinore dhe emancipim të gruas shqiptare. “Sikur të isha djalë” është një roman i shkruar nga Haki Stërmilli, një nga shkrimtarët më të njohur shqiptarë të periudhës së realizmit kritik. Vepra është botuar për herë të parë në vitin 1936 dhe është një ndër romanet e para shqiptare që trajton në mënyrë të hapur çështjen e pozitës së gruas në shoqërinë shqiptare të kohës. Ende sot, konsiderohet një roman aktual dhe i fuqishëm në mesazhin e tij.

Në linkun e mëposhtëm mund të lexoni librin në formatin pdf.

https://archive.org/details/haki-stermilli-sikur-te-isha-djal

Leave a Reply