Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 dhe krijimi i qeverisë të kryesuar nga Ismail Qemali është një ndër ngjarjet më kulminante të historisë të popullit tonë, e cila erdhi si rezultat i kryengritjeve të vazhdueshme në gjithë Shqipërinë në fillim të shekullit të kaluar. Pavarësia e Shqipërisë është akti i parë politik mbarëkombëtar që bëri bashkë të gjithë shqiptarët e që parapriu krijimin e shtetit shqiptar. Në shumë qytete të Shqipërisë, patriotë të shumtë, me mbështetjen e popullit, intelektualëve dhe familjeve të mëdha u organizuan në përgjigje të thirrjes së plakut të mençur Ismail Qemali për të shpallur pavarësinë e qyteteve të tyre dhe më pas për t’u bashkuar në Vlorë për aktin e madh, atë të ngritjes së Flamurit. I pari qytet që shpalli pavarësinë, ishte Elbasani, duke vënë kështu gurin e parë në themelet e kësaj pavarësie. Më 25 nëntor 1912, 113 vjet më parë, 35 patriotë nga Elbasani por edhe rrethet e tjera të tij, nënshkruan Aktin e Shpalljes së Pavarësisë dhe ngritën flamurin kombëtar. Organizatori i kësaj lëvizjeje ishte Aqif Pashë Elbasani (Biçakçiu) i cili me mbështetjen e personaliteteve vendase të kohës si, kryetari i bashkisë së asaj kohe Alush Saraçi, klerikë të ndryshëm, patriotë e intelektualë të qytetit realizuan këtë moment historik. Firmëtarët e Aktit të Pavarësisë së Elbasanit, ishin intelektualë dhe patriotë të shkolluar jashtë vendit dhe me një aktivitet dhe kontribute të vyera për Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë. Pas nënshkrimit, ata përzgjodhën një grup prej 5 vetësh, i cili do të përfaqsonte Elbasanin në ngjarjen e madhe, në ngritjen e flamurit dhe krijimin e qeverisë në Vlorë. Ky grupim përbëhej nga:

Lef Nosi, intelektual, politikan, studiues, botues, filantrop. Veprimtaria politike dhe kulturore e tij ka një dimension kombëtar. Ishte ndër figurat qendrore që kontribuan në organizimin dhe zhvillimin e Kongresit Arsimor në Elbasan si dhe në çeljen e Normales. Është anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në Vlorë, ishte delegat i Elbasanit dhe emërohet ministër i Postë – Telegrafit në kabinetin e Ismail Qemalit.

Mit’hat Frashëri, veprimtar politik, shkrimtar, publicist, përkthyes, botues. Në Vlorë ishte delegat i Elbasanit dhe në qeverinë e sapokrijuar mori postin e Ministrit të Punëve Botore.

Dervish Biçakçiu, patriot dhe veprimtar i lëvizjes kombëtare, ndër organizatorët kryesorë dhe kryetar i Kongresit të Elbasanit, financues kryesor i Normales. Ka qenë dy herë deputet në periudhën 1932-1939. Në Vlorë ishte delegat i Peqinit dhe u zgjodh anëtar i Pleqësisë.

Shefqet Daiu, veprimtar politik i Lëvizjes Kombëtare, avokat dhe autor tekstesh. Në Vlorë ishte delegat i Elbasanit dhe u emërua shkronjës i dytë, pas Luigj Gurakuqit.

Qemal Karaosmani, veprimtar i Lëvizjes Kombëtare, politikan, dy herë deputet në Këshillin Kombëtar dhe Kuvendin Kushtetues. Në Vlorë ishte delegat i Elbasanit dhe u zgjodh kryesekretar i qeverisë.

Dokumenti origjinali i shpalljes së Pavarësisë së Elbasanit u gjend në Beograd në vitin 2009. Data 25 nëntor 1912 do të mbetet një moment krenarie historike për Elbasanin. Më poshtë janë listuar emrat e 35 firmëtarëve në Elbasan:

Aqif Pashë Elbasani (Biçakçiu), Ali Agjahu, Alush Saraçi, Shefqet Bej Vërlaci, Hysen Sulova, Demir Bej Sulçe beu, Ismail Taushani,  Fuad Biçaku, Hasan Bej Biçakçiu, Taq Buda, Hasan Çiftja, Hysein Dakli, Beniamin Deljana, Rrapush Demeti, Papa Dhimitër Dhimitruka, Mahmud Guma, Mahmud Hakani, Emin Haxhiademi, Hysen Hostopalli, Isuf Bej Taushani, Haxhi Nikolla Jorgaqi, Serafin Jorgaqi, Haxhi Hafiz Sulejman Kungulli, Maliq bej Riza beu, Refik Myftiu, Venemin Nosi, Kolë Papajani, Lazar Papajani, Xhaferr Pamaqi, Dhimitër Paparisto, Ymer Peni, Mihal Prifti, Abdulla Bej Tirana, Demir Zenelhoxha, Servet Zylfi.

© “Respekt për firmëtarët e dokumentit historik të Shpalljes së Pavarësisë në Elbasan”, Drita Cankja dhe Manola Hatellari

Leave a Reply