Skip to content Skip to footer

Tetori “Flet shqip”

Muaji tetor, i shpallur tashmë si muaji i letërsisë nën logon “Fol shqip – Lexo shqip”, erdhi me një sërë aktivitetesh në bibliotekë. Programi që paraqiti drejtoria dhe stafi, si çdo vit, u mbështet kryesisht në promovimin e librave të rinj, në promovimin e autorëve elbasanas, në hapjen e dyerve për nxënësit e shkollave duke filluar nga cikli parashkollor e deri tek ai i lartë dhe master etj.

Risia këtë herë ishte ekspozita me tematikë “140-vjetori i revistës së parë shqip, Fiamuri Arbërit”. Kjo eskpozitë modeste, solli në mënyrë fotografike pjesë nga revista, shkrime të ndryshme, letërkëmbime dhe krijime të De Radës si krijuesi dhe shkruesi kryesor i rubrikave të kësaj reviste. Revista “Fiamuri Arbërit” shënon një pikë kyçe për gazetarinë shqiptare, sepse programi dhe parimet e saj janë aq aktuale edhe sot; “…të jetë e lirë dhe të përfaqsojë mendimin e lirë e të pavarur…”. Në kuadër të ekspozitës, duke dashur t’i mëshojmë rëndësisë së figurës të De Radës, si pararendës i rilindasve, i fjalës së lirë dhe si ideator i krijimit të një alfabeti të përbashkët dhe unifikimit të gjuhës shqipe, në mbyllje të saj u organizua një konkurs me ese të nxënësve nga shkollat e mesme, të cilët lartësuan edhe më tej figurën e De Radës. Shkollave pjesëmarrëse iu dhuruan libra të cilët do të bëhen pjesë e fondit të bibliotekave të tyre.

Viti i Petro Markos, i cilësuar nga Ministria e Arsimit, me rastin e 110 vjetorit të lindjes së shkrimtarit disident, u pasqyrua në bibliotekë me një aktivitet me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Ptoleme Xhuvani”, Elbasan. Në këtë takim, nxënësit kishin përgatitur materiale të ndryshme ku evidentuan cilësitë e Petro Markos si idealist, patriot, publicist e shkrimtar. U trajtuan tematikat e librave: “Shpella e piratëve”, “Hasta La Vista”, “Nata e Ustikēs”, “Qyteti i fundit”, “Intervistë me vetveten”. U lexuan fragmente nga librat e Markos që mbartin mesazhe domethënëse për jetën. Me këtë rast, specialistja e bibliotekës Elisa Janku, punoi një listë bibliografike me librat e Petro Markos që ndodhen në fondin e bibliotekës.

Përgjatë gjithë muajit nuk munguan vizitat e shumta në bibliotekë, dhurimi i librave, aktivitete në bibliotekën e fëmijëve dhe leximi në grup.

#tetoriiletersise #folshqiplexoshqip #fiamuriarberit #jeronimderada

#petromarko #110vjetori #vitiipetromarkos

Leave a Reply