Arkadij Gajdar, lindur #sisot më 22 janar 1904, ishte shkrimtar rus për fëmijë, tregimet dhe novelat e të cilit janë përkthyer në disa gjuhë të botës. Gjithashtu ai ishte ushtarak dhe korrespondent lufte. Nisi të shkruajë që në moshën 20-vjeçare dhe një pjesë e krijimeve të tij u publikua kryesisht në shtypin e kohës, duke pasqyruar histori të thjeshta për shoqërinë dhe marrëdhëniet e sinqerta të ndërtuara në vijën e parë të frontit dhe luftës revolucionare. Tregimet e tij të para, kryesisht me natyrë autobiografike, si: Shkolla, K.U.R., Sekreti ushtarak, Filxhani i kaltërt etj, bënë që ai të nderohej me “Urdhrin e medaljes së nderit” në 1939 dhe në 1940 ai publikoi novelën e tij më të rëndësishme dhe më të njohur “Timuri dhe skuadra e tij”. Personazhi kryesor i librit, Timuri, që mbante emrin e të birit të Arkadijit, ishte një karakter i veçantë, një pionier altruist, bëmat e të cilit më vonë shërbyen si shtysë për krijimin e Lëvizjes Timure mes pionierëve të kohës anembanë ish-Bashkimit Sovjetik. Po atë vit, u realizua një film dhe një radiodramatizim bazuar në këtë novelë. Libri ka qenë për një kohë të gjatë pjesë e detyrueshme e kurrikulës shkollore në ish-Bashkimin Sovjetik. “Timuri dhe skuadra e tij”, u përkthye dhe u botua tri herë në gjuhën shqipe, në 1949, 1969 dhe në 1972 edhe nga Shtëpia Botuese Rilindja e Prishtinës si dhe u ribotua disa herë.
Për krijimtarinë e tij, Arkadij është vlerësuar me dy urdhëra dhe disa medalje. Për nder të tij është ngritur një monument në Kaniv (Ukraina e sotshme) në 1953 dhe janë realizuar tre filma autobiografikë. U nda nga jeta në moshën 37 vjeçare, më 26 tetor 1941 në një betejë pranë Lipljave, Kaniv, Ukrainë.
#sisot
#autorërusë
#fëmijëtlexojnë
