Joseph Rudyard Kipling (30 dhjetor 1865 – 18 janar 1936) ishte romancier, novator në artin e tregimit të shkurtër, poet dhe gazetar anglez, ndër shkrimtarët më të njohur të Mbretërisë së Bashkuar të fund shekullit 19 dhe fillimit të shek. 20.
Më 1907, u nderua me çmimin Nobel në Letërsi, me notivacionin “duke pasur parasysh fuqinë e vëzhgimit, origjinalitetin e imagjinatës, guximin e ideve dhe talentin e jashtëzakonshëm për rrëfim që karakterizojnë krijimet e këtij autori me famë botërore”. Kipling është shkrimtari i parë i letërsisë angleze që mori këtë çmim, si dhe më i riu i dekoruar me këtë çmim deri më sot.
Poezia e tij, “Në mundsh“, të cilën ia kushtoni të birit, është një himn i mrekullueshëm për jetën; përfaqsuese më e mirë e stoicizmit të epokës viktoriane, ku vetpërmbajtja dhe vetëdisiplina janë tiparët thelbësore të karakterit. Kjo poezi mbetet një gur themeli në kulturën britanike dhe botërore.
Në mundsh
Në mundsh ta ruash arsyen, kur bota humbet fillin
e fajin ty ta hedh dhe vetes t’i besosh,
sa herë tek ti dyshojnë e s’të përfillin
por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…
Në mundsh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur,
e, kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh,
madje, ndaj shpifjeve të rrish pa folur,
me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…
Në mundsh t’mendosh, por jo gjer në shkatrrim,
të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh,
dhe t’i trajtosh njëlloj e pa dallim
ngadhnjim e shpartallim burim mashtrimesh…
Në durofsh dot thëniet e tua të drejta
në kurthe për trutharët, kopuket që t’i kthejnë,
t’i shohësh të thyera gjërat më të shtrenjta
e prapë t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë…
Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh
si në kumar, në një të vetme lojë,
të rrezikosh, të humbasësh e prapë t’ia fillosh,
dhe humbjen kurrë të mos e zesh në gojë…
Në i detyrofsh dot muskul, nerv e puls e zemër
të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë,
e të qëndrosh kur s’ke asgjë më veç vullnetit,
që vetëm fjalën “Qëndro!” gjithmonë të thonë…
Në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin tënd ta ruash
e t’ecësh përkrah mbretit pa krenari që të verbon…
Nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash,
dhe gjithkend e çmon, por veç sa meriton…
Në mundsh t’i mbushësh ti minutat aq të rënda
me vepra që peshojnë dije dhe mos kij asnjë dyshim,
se jotja do të jetë Bota, me ç’ka brenda,
dhe NJERI do të jesh, o biri im!
Përktheu Robert Shvarc
Çdo vit në Tiranë, por dhe me shtrirje në qytete të ndryshme të Shqipërisë, me nismën e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit: “Shqipëria mikpret botën”, zhvillohen aktivitete në kuadër të Javës Kulturore Britanike. Këtë vit, kjo javë është përcaktuar në periudhën 10-16 nëntor 2025.
https://www.facebook.com/share/r/1AbcJwASSZ/
