Kujtojmë sot, në 101-vjetorin e tij të lindjes, një personalitet të mirënjohur në qarqet kulturore e letrare të Elbasanit, poetin dhe publicistin Bexhet Çerma. Lindi në Elbasan, #sisot, më 10 shkurt 1925. Fillimisht kreu studimet në shkollën ushtarake në ish-Bashkimin Sovjetik e më pas kreu në 1961 studimet në degën Gjuhë e Letërsi Orientale në univeristetin “Kirov” në Azerbajxhan. Një kohë të gjatë ka qenë drejtor i Shtëpisë së Kulturës dhe në vitet 1957-1959 ka qenë drejtor i bibliotekës publike “Qemal Baholli” në Elbasan. Gjatë punës në bibliotekë, Bexheti ka lënë materiale në formë raporti të cilat në mënyrë të detajuar tregonin për punën që bënte biblioteka në lidhje me aktivitetet, seminaret, propagandimin e librit dhe të shtypit, si dhe për mirëmbajtjen, administrimin dhe sistemimin e materialeve bibliotekare. Kohën tjetër, deri sa doli në pension punoi si arsimtar.
Bexheti ka qenë mjaft i lidhur me jetën artistike dhe krijuese të qytetit. Krijimet e tij të para zenë fill që në periudhën e Luftës, por botimet e para i përkasin periudhës së viteve ’50. Ka botuar përmbledhjen me lirika “Zgjimi ushtarak” (1956), operetën për fëmijë “Vallja e milingonave (1959) e cila është vlerësuar me Çmimin e Parë të Republikës, poemën “Kapta e ngrirë” e vlerësua me Çmimin e Dytë, vëllimin me lirika “Fjala e mikut” (1961) në gjuhën azere si dhe vëllimin me shqipërime “Dielli i të pagjumëve”. Bexheti ka vënë në skenë me trupën e teatrit “Skampa” dramën e tij “Gardhi” nën regjinë e Lec Shllakut.
Ah, sytë e tu…
Lejlasë
Ah, sytë e tu – një det me duf – tallaz,
në ëndrrën time ndezur si dy yj…
Magji mëngjesesh lart mbi Kaukaz
dhe ujë-argjend Gjëj-Gjuli* po aty…
Si mik po bredh soditës në Baku,
Azerbajxhanit paskam çfarë t’i vjedh.
Ndërmend s’i shkova fare sytë e tu,
as dashurinë që ti si shtjellë ma dredh.
Vetmisht mjeran… Ç’të bëkam, jo, nuk e di,
vështrimi gardh-qerpik më ndjek -përndejk.
Për vetullat ke shirita dy të zinj,
që ti i djeg, në zjarrin tim i djeg.
Ah, sytë e tu – një det me duf – tallaz,
Në ëndrrën time ndezur si dy yj…
Magji mëngjesesh lart mbi Kaukaz
Dhe ujë-argjend Gjëj-Gjuli* po aty…
Baku, 1960
* Liqen piktoresk në Azerbajxhan
© Stinë e ullinjve të thinjur, Antologji poetike me autorë elbasanas, 2000
