Britanikët që shëtitën dhe shkruan për Shqipërinë kanë qenë konsuj, diplomatë, ushtarakë, poetë, piktorë, gjuhëtarë e antropologë, misionarë të fesë etj, të cilët kur ktheheshin në atdhe botonin vëzhgimet, ditarët dhe përshtypjet e tyre. Këto libra priteshin më kërshëri nga publiku, pasi aty jepej informacion për një vend pak të njohur deri atëherë për Europën. Në to shfaqej një tablo e gjerë për shoqërinë shqiptare, si zakonet dhe tradiat e kohës, psikologjia dhe mendësia, klasat dhe raportet klasore, niveli dhe mënyra e jetesës, tregtia dhe lidhjet e jashtme si dhe bukuritë e natyrës. Natyrisht, në përshkrime nuk mungojnë dhe detaje jo aq të këndshme të jetesës së shqiptarëve në ato vite, ndikuar nga mbyllja me botën perëndimore, varfëria, analfabetizmi dhe hermetizmi me të cilin shqiptarët ruanin zakonet dhe mënyrën e të menduarit dhe vepruarit. Në këtë postim, bazuar kryesisht mbi librin “Udhëtarët e huaj në Shqipëri” të Lumo Skëndos (Mit’hat Frashëri), paraqiten emra personazhesh britanikë, të cilët, përtej përjetimeve dhe eksperiencave jo gjithmonë të mira, e deshën shumë Shqipërinë dhe shqiptarët.
Edward Browne, mjek anglez ka udhëtuar në një pjesë të perandorisë osmane më 1669. Ai vizitoi Shkupin, Kaçanikun dhe Prishtinën. Përveç përshkrimeve me detaje që i bën këtyre qyteteve, ai ka lënë një shënim në lidhje me gjuhën shqipe, si një gjuhë e veçantë e që nuk mund të merreshe vesh lehtësisht: “Tër në atë mënyrë pësuam edhe me gjuhën e Shqipërisë në pjesën veriore të Epirit dhe në perëndim të Maqedonisë. Disa prej tyre, në malet ku shkonim, flisnin pak sllavisht; po sa për shqipen, për gjuhën e tyre në të cilët këndonin këngë ditë dhe natë me gëzim të madh kur udhëtonin me ne, askush prej atyre që dinin mirë gjuhët e huaja, turq ose të krishterë, s’kuptonte dot gja”.
Lord Byron, poet romantik dhe eksplorues. Ishte vetëm 21 vjeç kur bashkë më shokun e tij, Hobhouse u nisën nga Anglia drejt orientit, një peligrinazh të cilin e rrëfen në veprën e tij “Udhëtimet e Çajld Harold”. Kjo poemë është nisur të shkruhet kur Bajroni ishte në Shqipëri. 35 këngë të “Shtegëtimeve” janë për vendin tonë, përshkruar nga një ndjenjë e lartë simpatie dhe adhurimi për Shqipërinë dhe shqiptarët. Përveç vargjeve të poemës, përshtypjet e tij mbi udhëtimin në Shqipëri i gjejmë dhe në letërkëmbimin që ai mban me të ëmën. Mikpritja që iu bë, ndikoi që ai të kthehej përsëri më 1824, ku formoi një batalion shqiptarësh në Misolongji dhe u vesh si shqiptar me ato kostume të cilat i përshkruan aq bukur në letrat e tij.
John C. Hobhouse, mik i Bajronit, e ndoqi atë gjatë udhëtimeve dhe përshtypjet e tij i përmblodhi në një libër voluminoz monografik. Që në fillim të librit, perceptuar si ditar, ai sjell një hartë ku dhe shpjegon kufjtë e Shqipërisë. Më tej, ai përshkruan çdo detaj të vogël që ka të bëjë me sjelljet e shqiptarëve, zakonet, supersticionet, mënyra se si trajtojnë miqtë etj., të cilët i ndesh gjatë rrugës për të takuar Ali Pashën. Takimin me Aliun, ai e përshkruan detajisht dhe me ngazëllim, pasi mikpritja dhe biseda që u zhvillua mes tyre ishte e ngrohtë dhe e sinqertë. “…Bisedimi ndërmjet një veziri turk dhe një udhëtari nuk mund të bëhet veçse me pyetje dhe përgjigje. Në fjalët e Ali Pashës nuk gjetëm gjë që të na rrëfejë për injorancën e tij. Gjallëria dhe mënyra natyrale e tij na dhanë një përshtypje të favorshme për zotësinë e Aliut…” Më tej, në shënimet e tij, në lidhje me atdhedashurinë e shqiptarëve, Hobhouse shkruan: “Kombësia, një pasion kurdoherë më i fortë te njerëzit e maleve se ke ata të fushës, është fort i zhvilluar në karakter të tyre. Kur një shqiptar udhëton dhe mëson se atje afër gjendet një shqiptar tjetër, e lë udhën dhe vete ta shohë, sado që të mos e ketë njohur kurrë më parë… Sado larg dhe në vende të huaja të venë, kurrë s’e harrojnë vendin, katundin, mikun e tyre”.
Henry Holland, vizitoi Shqipërinë gjatë 1812 – 1813. Në librin e tij “Udhëtime”, në lidhje më Shqipërinë, bën një përshkrim piktoresk të shqiptarit dhe të veshjes së tij. Një vend të veçantë në përshkrimet e tij zë Janina dhe Ali Pashë Tepelena me të cilin ndenji për një kohë të gjatë dhe më lutjen që vetë Aliu i bëri mikut, i cili për ta joshur i ofroi një vizitë në pjesën veriore të Janinës. Holland e pranoi ftesën me kënaqësi, dhe gjatë udhëtimit që shkon deri në Kardhiq ai mrekullohet nga peisazhi piktoresk, tokat pjellore, lugina e Vjosës, Gjirokoastra e bukur etj etj. Atë e vënë të flerë në “çarçafë të qëndisur me ar” si shenjë respekti ndaj mikut dhe Hollandit kjo gjë i lë shumë mbresë. Përfundimin e qëndrimit, ai e përshkruan me shumë keqardhje, sidomos çastin e ndarjes, kur Aliu ngrihet në këmbë për të përshëndetur. “Padyshim të ndarët tim nuk qe pa keqardhje që lija këtë njeri, i cili, sidoqë të jetë mënyra e sundimit të tij mbi një popull gjysëm të egër, më kishte interesuar tëpër për talentin, bisedimin, sjelljen e hollë dhe baraz të tij në çdo audiencë që pata me të…”
Jan Gordon, e ka vizituar Shqipërinë bashkë me të shoqen, në vitin 1925. Adhurues të udhëtimeve, për çdo vend që vizitonin shkruanin një libër me titull “Dy vagabondë në …” me kujtime, shoqëruar me vizatime dhe rrëfyer më një sens të hollë humori. Të dy shëtitësit, kanë vizituar një sërë qytetesh në Shqipëri, ku për secilin kanë lënë shënim diçka pikante. Tirana u është dukur si “pazar i një qyteti oriental, por që ka humbur qytetin“. “Në Elbasan, çdo njeri ka një dyqan në pazar, pa le të mos ketë fare punë“. “Përmbi Përmetin pashë një katund fort të bukur që është banuar vetëm prej grave: burrat janë në Amerikë për të llustruar këpucët ose të shesin ujë-soda“. Gjirokastra i bëri shumë përshtypje si një qytet me karakter të shquar, që e çudit njerinë dhe e bën të mos e harrojë kurrë. “Nuk besoj të ketë në botë një qytet si Gjirokastra” – shkruan ai.
Smart Hughes. Kujtimet e tij i përmblodhi në librin “Udhëtime në Siçili, Greqi dhe Shqipëri”. Shqipërinë e viziton bashkë me shokun e tij në fund të 1812. Në takimin me Ali Pashën, ndoshta duke qenë dhe pak paragjykues dhe dyshues, ai vëren se Aliu kishte një buzëqeshje sarkastike dhe qeshjen të tmerrshme. Në të njëjtën kohë atyre i bën përshtypje bukuria e salloneve dhe politesa me të cilën ai i pret. Gjirokastra dhe Berati me bukuritë e tyre i impresionuan udhëtarët: “Bukuri e pamjes, qyteti, lumi, Tomorri, është kaq e madhe sa kjo vetëm vlen mundimin të vijë njeriu gjer këtu nga Janina” – shkruan për Beratin.
William Martin Leake. I ngarkuar me mision në Shqipëri dhe pranë Ali Pashës është ndër të parët veprimtarë shtetërorë, historianë dhe gjuhëtarë europianë që është marrë gjerësisht me vendin, popullin dhe gjuhën tonë. Gjatë ekspeditës së tij ai mban shënim për çdo vend që kalon, çdo njeri që takon, çdo gjë që është ndryshe nga të gjithë vendet që ai ka parë. I apasionuar pas historisë, arkeologjisë, antropologjisë dhe gjuhëve të huaja, ai është shumë i vëmëndshëm në vrojtimet e tij, dhe Shqipëria dhe e gjithë pjesa e ballkanit që ai shëtit, i duken një thesar i vërtetë. “Turqit zaptuan qytetet e Epirit dhe i lanë mallet; po shqipatrët panë se pranë turqve gjenin shërbim dhe fitim si ushtarë dhe filluan të bëhen myslimanë, të marrin fenë e mundësit; u dhanë pas jetës ushtare dhe sot gjenden tekdo, nga Gjibraltari në Arabi dhe nga Persia në Tunë, por edhe filluan të persekutojnë ata që kishin mbetur në fenë e vjetër, të cilët nga ky shkak u shtrënguan të ikin dhe të venë në jug të Greqisë dhe në Azi të vogël”.
J. J. Best. Viziton Shqipërinë më 1838. Oficer anglez në Korfuz, i apasionuar pas gjuetisë, ka bërë dy udhëtime të mëdha në Shqipëri, te “ky vend magnifik por i panjohur“. Përveçse lavdëron pasurinë e gjahut të vendit, ai nuk lë pa komentuar dhe veshjen e grave, e cila, është jo vetëm elegante por edhe shumë e përshtatshme për mënyrën e jetesës. Natyrisht përshkrimet e tij duken herë herë si aventura, nga fakti se ai ka jetuar më pranë shqiptarëve të thjeshtë e me të cilët ndante pasionin për gjahun dhe gjuetinë.
Edward Lear. Viziton Shqipërinë më 1848. Piktor, artist, autor dhe muzikant, ka udhëtuar 2 herë në Shqipëri. Me shpirtin e tij prej artisti, ai do të shkruajë dhe ilustrojë gjithçka të bukur të natyrës shqiptare; “…Në Shqipëri gjen njeriu atë që është e pamundur të shohë gjetkë, bukuri natyre të ndryshme, hollësi linje dhe shkëlqim drite, por mbi këto edhe një bollëk bimësie, me drurë e gjethe të shpeshta që se takojmë as në Greqi e as në Itali… Kjo bukuri është më e madhe në jug, kurse malet e veriut janë tepër madhështorë, të mëdhenj e të gjerë dhe furça e një piktori nuk mund t’i vizatojë“.
D. Urquhart. Ushtarak anglez, ka jetuar 10 vjet në lindje të Europës dhe shënimet e tij i përmblodhi në veprën “Shpirti i lindjes”, 1839. Në udhëtimin e tij nga Akarnania, përmend se po të mos kishin ardhur turqit, Moreja e tërë dhe Greqia do të ishte bërë një pronë e shqiptarëve, kaq shumë ishin shtuar dhe forcuar ata. Pa ardhur në Vonicë, përkundrejt Prevezëz, thërret: “Përpara meje kam tokën e Pirros, të Skënderbeut, të Ali Pashës”.
Edith Durham, udhëtare, artiste, shkrimtare britanike që u bë e famshme për shkrimet e saj antropologjike rreth jetës në trojet shqiptare, në fund të shekullit të XIX dhe fillim të shekullit të XX. Shqiptarët e nderojnë akoma edhe sot Editin dhe kanë respekt për të. Ajo sipas shqiptarëve është “Mbretëresha e Malësorëve.” Në mesin e shqiptarëve gjeti miq të vërtetë, të cilët në çdo çast ia hapen derën dhe nuk kursyen asgjë për të. Përshtypje të mbetura nga Shqipëria ishte tradita e “Burrneshave Shqiptare”, që ishte një zakon ku femrat visheshin si burra dhe kishin një pozitë të qartë në shoqëri.
Albanologu anglezi Jozef Swire, në vitin 1929, pas pesë vjet kërkimesh të gjithanshme në Shqipëri e gjetkë, botoi veprën “Shqipëria: Lindja e një mbretërie”. Ai e përcaktonte gjuhën shqipe si një nga pjesëtaret me të vjetra të familjes indoevropiane. Përmes studimeve të tij, ai arriti në përfundimin se raca shqiptare e ka prejardhjen nga emigrantët e hershëm ariane dhe gjatë kohës historike është përfaqësuar nga trako-ilirët dhe epirotët ose pellazgët, të cilët dikur patën populluar të gjithë Gadishullin e Ballkanit, që nga Danubi deri në Detin Egje. Ai vuri në dukje se shkrimtarët e vjetër grekë i cilësonin epirotët si johelenë dhe se banorët e Maqedonisë, Ilirisë dhe Epirit flisnin gjuhë të njëjtë dhe kishin zakone të ngjashme.
Henry N. Brailsford, gazetar britanik. Botoi “Maqedonia: racat e saj dhe e ardhmja e tyre” (Londër 1906), i cili përmban një kapitull të gjatë dhe të qartë për shqiptarët. Pas një hyrjeje të përgjithshme mbi karakterin, gjuhën, historinë, zakonet dhe fenë shqiptare, Brailsford përshkruan gjerësisht luftën për arsimin shqip në Korçë dhe situatën e shqiptarëve në Kosovë.
Margaret Hasluck, është etnologia dhe etnografja e një pjese të madhe të kulturës ballkanike me studime të shumta në vende si Greqia, Turqia dhe stacionimi i fundit në Shqipëri. Në vendin tonë ajo është pritur përzemërsisht si nga figura të rëndësishme të kohës, por edhe nga vetë shteti shqiptar. Shtëpia që ajo ndërtoi në Elbasan, është tashmë një jetimore. Më 18 qershor 2010, për 125-vjetorin e lindjes së saj, Margaret u nderua me titullin “Qytetare Nderi e Elbasanit” dhe një pllakë përkujtimore është vendosur në shtëpinë e saj të dikurshme.
Aubrey Herbert, diplomat, politikan dhe orientalist britanik, i njohur sidomos për mbështetjen që i dha çështjes shqiptare në fillim të shekullit XX. Ishte një ndër mbështetësit më të flaktë të Pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë periudhës së krizës ballkanike (1912–1913), punoi për të siguruar njohjen ndërkombëtare të shtetit shqiptar dhe ishte mik personal i shumë patriotëve shqiptarë si Ismail Qemali e Eqrem bej Vlora.
Çdo vit në Tiranë, por dhe me shtrirje në qytete të ndryshme të Shqipërisë, me nismën e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit: “Shqipëria mikpret botën”, zhvillohen aktivitete në kuadër të Javës Kulturore Britanike. Këtë vit, kjo javë është përcaktuar në periudhën 10-16 nëntor 2025.
https://www.facebook.com/share/r/1AbcJwASSZ/
