Teatri i Mbretërisë së Bashkuar luan një rol të rëndësishëm në kulturën britanike. Në fillimet e tij, teatri në Britani ishte një lloj shfaqjeje në rrugë, ku aktorët interpretonin subjekte nga përralla dhe legjenda popullore, si psh e ajo e “Shën Gjergjit dhe Dragoi” apo “Robin Hud’. Aktorët shëtistin nga njëri vend në tjetrin dhe jepnin shfaqje për të fituar para dhe strehim. Gjatë mesjetës, subjektet e shfaqjeve ishin kryesisht me karakter fetar; mistike dhe morale, pasi ato zhvilloheshi kryesisht përgjatë festave fetare dhe brenda oborreve të kishës. Pjesa teatrale më e rëndësishme që është ruajtur që nga mesjeta, është “The Cornish Ordinalia”, një triologji fetare në vargje e shkruar rreth vitit 1400. Trilogjia fillon me “Origo Mundi” (Origjina e botës). Mbretërimi i Elizabetës I-rë në fund të shekullit XVI dhe në fillim të shekullit XVII solli një lulëzim të dramës dhe të gjitha arteve të cilat tashmë po shkëputeshin nga karakteri mistik dhe fetar. Kjo epokë shpesh quhet “epoka e Shekspirit” për ndikimin e jashtëzakonshëm që ai pati në këtë periudhë. Dramaturgë të tjerë të rëndësishëm të shekullit të 17-të përfshijnë Ben Jonson, Christopher Marlow dhe John Webster.
* * *
“Shekspiri i dashuruar” (Shakespeare in love) përshkruan një lidhje dashurie imagjinare që përfshin dramaturgun Uilliam Shekspir (interpretuar nga Joseph Fiennes) dhe Viola de Leseps (interpretuar nga Gwyneth Paltrow). Nisur nga personazhet, një pjesë e të cilëve bazohen në figura historike; siç janë Mbretëresha Elisabet, Kristofer Marlou dramaturg dhe bashkëkohës i Shekspirit, teksti dhe ngjarjet, mendohet se ky film është gati-gati një biografi e Shekspirit. Filmi është realizuar nën një kast aktorësh të mrekullueshëm dhe ka fituar disa çmime prestigjoze ndërkombëtare, në mes tyre dhe 7 Oscar.
Ngjarjet e filmit zhvillohen në Londrën e vitit 1593. Shekspiri shkruan drama, aktron dhe i vë në skenën e Teatrit Rose. Ndërkohë që ishte duke punuar mbi një komedi të re të sugjeruar nga miku i tij Marlou, “Romeo dhe Ethel, Bija e Piratit”, Shekspiri gjendet para një krize krijimtarie. Befas, gjatë audicioneve, në podin e teatrit Rose, shfaqet një aktor i ri, Tomas Kent, i cili i bën shumë përshtypje Shekpirit me interpretimin e tij. Shekspiri e ofron Kentin të bëhët pjesë e trupës së tij, dhe në fakt këtu nis e gjithë peripecia e tyre, pasi Kent ishte një vajzë, Viola, e cila e veshur nën petkun e djaloshit Kent, nxitur dhe nga dashuria e madhe për veprën e Shekspirit dhe teatrin, reciton në skenë. Ishte koha kur në skenë interpretonin vetëm aktorë meshkuj. Viola, e joshur dhe nga e panjohura, pranon të luajë në teatër por duke mbajtur akoma “teshat e Kentit”. Situata bëhet herë-herë komike dhe aventureske. Shekspiri, do të dashurohet jo vetëm me bukurinë por dhe me shpirtin artistik të Violës, e cila do të kthehet tashmë në muzën e tij dhe ai do të përfundojë së shkruari dramën e tij romantike, të cilës i ndryshon dhe emrin në “Romeo dhe Zhuljeta”. Artisti Kent, pra Viola, arrin të interpretojë me sukses dramën e Shekspirit. Loja e saj e ndjerë, e mbështetur dhe nga vetë Shekspiri në skenë, bëri që drama “Romeo dhe Zhuljeta” të ishte një sukses i vërtetë. Ky fakt, ndryshoi dhe fatin e teatrit, i cili për mungesë fondesh dhe krijimtarie ishte drejt mbylljes. Në këtë çast lumturie, zbulohet sekreti i djaloshit të talentuar Kent dhe fatkeqësisht, përfundon dhe lidhja romantike e Shekspirit me Violën. Ajo martohet me një princ larg Londrës, gjë që do ta shkëpusë përfundimisht nga 2 dashuritë e saj: teatri dhe Shekspiri. Por ajo, do të kthehet tashmë në muzën e krijimeve të mëtejshme të Shekspirit.
Çdo vit në Tiranë, por dhe me shtrirje në qytete të ndryshme të Shqipërisë, me nismën e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit: “Shqipëria mikpret botën”, zhvillohen aktivitete në kuadër të Javës Kulturore Britanike. Këtë vit, kjo javë është përcaktuar në periudhën 10-16 nëntor 2025.
https://www.facebook.com/share/r/1AbcJwASSZ/
