Carlos Ruiz Zafón (1964–2020) shkrimtar dhe skenarist spanjoll, i njohur për serinë e tij të famshme “Varreza e Librave të Harruar”, një përzierje mahnitëse e misterit, romanit historik, stilit gotik dhe dashurisë për librin. Ai është i njohur për komplotet komplekse dhe të ndërlikuara që shpesh zhvillohen në Barcelonën e pasluftës, si dhe për gërshetimin e rrëfimeve që eksplorojnë temat e kujtesës, letërsisë dhe fuqisë së historive. Proza e Zafónit është e pasur, poetike dhe kinematografike. Ai përzien elemente të realizmit magjik me një atmosferë të errët dhe misterioze. Temat që përsëriten shpesh në romanet e tij janë: fuqia e librave dhe tregimeve, kujtesa dhe identiteti, koha dhe humbja, ana e errët e Barcelonës së shekullit XX.
Zafón e ngriti letërsinë e vendit të tij në një tjetër nivel. Nëpërmjet librave sa real, aq edhe fantastik, ai krijon një efekt të magjishëm letrar: mbajtjen pezull të kureshtjes së lexuesit.
Romani që e bëri të famshëm, “Hija e erës” (La Sombra del Viento, 2001) rrëfen historinë e Daniel Sempere, një djalë që gjen një libër misterioz që i ndryshon jetën në Barcelonën e pas Luftës Civile. Një histori brenda një historie që fillon në vendin e njohur si Varreza e Librave të Harruar, është një nga romanet më të suksesshme spanjolle të botuara ndonjëherë. Botime të tjera të tij janë “Marina”, “Loja e engjëllit”, “I burgosuri i qiellit”, “Labirinti i shpirtrave”, “Qyteti i avullit”, “Trilogjia e mjegullës”.
Vlerësuar me dhjetëra çmime ndërkombëtare, Zafón konsiderohet si një nga romancierët spanjollë më të lexuar që nga Cervantes duke shitur miliona libra në të gjithë botën.
Burimi kryesor: https://www.nytimes.com/2020/06/20/books/carlos-ruiz-zafon-dead.html
Çdo vit në Tiranë, por dhe me shtrirje në qytete të ndryshme të Shqipërisë, me nismën e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit: “Shqipëria mikpret botën”, zhvillohen aktivitete në kuadër të Javës Kulturore Spanjolle. Këtë vit, kjo javë është përcaktuar në periudhën 3 – 7 nëntor 2025.
https://www.facebook.com/share/p/1YefA1sV5q/
