Xhek London (1876 – 1916), lindur #sisot, është një shkrimtar popullor amerikan, autor i mbi 50 librave, aventurat personale dhe letrare të të cilit ndihmuan botën të zbulojë natyrën dhe natyrën njerëzore përmes romaneve të tij. Një personalitet magjepsës, i rritur mes vuajtjeve, humbjeve të mëdha, varfërisë dhe sakrificave familjare, Xheku nuk u dorëzua por, i etur për madhështi dhe një dëshirë për të shkëlqyer, u shndërrua në një eksplorator të botës, në kërkues të arit, jetoi mes botës së egër e të vështirë, u bë njësh më natyrën duke jetuar një jetë të jashtëzakonshme, të cilën e përjetësoi përmes faqeve të tij letrare. Profili i tij e pasyron më së qarti frymën e kohës në të cilën jetoi; ai do të mbetet përfaqësuesi i vërtetë i shpirtit amerikan të kohës si një aventurier i përjetshëm, që e do jetën e që nuk dorëzohet kurrë. Veprat që e bënë të pavdekshme famën dhe stilin e tij janë romanet me aventura: “Kushtrimi i të parëve”, (1903), “Ujku i Detit”, (1904), “Dhëmbi i Bardhë”, (1906); romani autobiografik: “Martin Eden” dhe ai fantastiko-politik: “Thundra e Hekurt”, një pjesë e të cilëve janë shndërruar në skenarë filmi, po aq të sukseshëm sa dhe vetë librat. Konsiderohet si ndër autorët amerikanë më të paguar të kohës së tij dhe më të përkthyer të shekullit të kaluar. Përveçse shkrimtar, Xhek Londoni ka qenë dhe një fotograf tejet produktiv me një koleksion prej afro 12.000 fotosh dhe negativë filmi.
Në lidhjen e mëposhtme do të mund të shfletoni koleksionin e fotove të shkrepura prej tij anembanë botës: https://hdl.huntington.org/digital/collection/p16003coll7
