I adhuruar prej shqiptarëve ndër shekuj, i lëvduar dhe respektuar prej oborreve mbretërore si një prej mbrojtësve më të spikatur të Perëndimit dhe kulturës së tij prej rrezikut të pushtimit turk, Skënderbeu dukej si i zgjedhur nga fati për t’u bërë hero kombëtar qysh në gjallje. Titulli papnor Atleti i Krishtit, epitetet si Mburojë e krishterimit, emërtimi i shkëmbit ku ishte vendosur kështjella e tij Shkëmbi magjik i Krishtit etj., përmbajnë në vetvete atë substancë ireale me të cilën do të modelohej më pas imazhi i heroit tonë kombëtar.
Por këto vlerësime, të cilat ende nuk mund t’i quajmë idhujtari, nuk do të kishin mjaftuar nëse imagjinata popullore, përmes këngësh, legjendash, historish, shpeshherë në kufijtë e së pabesueshmes, të krijuara sidomos pas vdekjes së tij më 17 janar 1468, nuk do të krijonte imazhin që parapërgatiti shugurimin e tij si hero kombëtar të shqiptarëve.
Ne gjithmonë kemi pasur dhe do të kemi nevojë për monumentet, këta rojtarë të kujtesës sonë kolektive dhe të imazhit tonë narcisist për veten, flamurët rreth të cilëve mblidhemi në momente të vështira historike.
Faza monumentale e heronjve kombëtarë me sa duket do të vazhdojë gjatë, tepër gjatë, mbase deri në muzgun e kohërave…
© Gëzim Qëndro, Paradigma të narcisizmit kolektiv, Tiranë, Onufri, 2023
Në foton ilustruese busti i Gjergj Kastriotit Skënderbeu pranë Sheshit të Heronjve, Budapest, Hungari.
