A e dini se…
Çmimet Pulizer (Pulitzer Prize ang.) lidhen me emrin e botuesit dhe kryeredaktorit Jozef Pulizer (Joseph Pulitzer ang.) i cili ka lënë gjurmë në fushën e gazetarisë si themelues i gazetarisë moderne ku bashkë me gazetën e tij The New York World, një pioniere në përdorimin e ilustrimeve, karikaturave editoriale dhe intervistave, iu përkushtua ekspozimit të korrupsionit politik dhe padrejtësisë sociale duke e shndërruar atë në një nga gazetat kryesore të vendit. Me trashëgiminë e tij filantropike, Pulizer financoi Shkollën e Gazetarisë së Kolumbias që u hap në vitin 1912 dhe që prej 4 qershorit të vitit 1917, si rezultat i dhuratës së specifikuar në testamentin e tij, u krijua Çmimi Pulizer dhe nga Universiteti i Kolumbias jepen çmime çdo vit për të njohur dhe shpërblyer përsosmërinë në gazetarinë, fotografinë, letërsinë, historinë, poezinë, muzikën dhe dramën amerikane si dhe bursa studimi. Pulizer, duke vënë në dispozicion 250 mijë dollarë, specifikoi ndarjen e “katër çmimeve në gazetari, katër në letra dhe dramë, një në arsim dhe katër bursa udhëtimi”. Çmimet kanë ndryshuar në numër dhe kategori gjatë viteve, por aktualisht numërohen 24 çmime të ndara në fushën e gazetarisë (15), në letërsi (8) – biografi, autobiografi, kujtime, shkrime historike etj., dhe 1 në muzikë. Çdo fitues vlerësohet me certifikatë dhe 15,000 dollarë, përveç në kategorinë e Shërbimit Publik, ku jepet një medalje ari. Çmimi Pulizer mbetet një vlerësim i rëndësishëm që njeh kontributet e jashtëzakonshme në kulturën dhe shoqërinë amerikane.
Në foton ilustruese është portreti i Jozef Pulizer, ilustrimet e gazetës The New York World, dhe Medalja e Artë Pulizer (ana e përparme dhe e pasme e saj) projektuar nga skulptori Daniel Chester French në vitin 1917.
