Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Poezi në datëlindje

Poema e njeriut

Kur mbi njërin oqean shuhet e tretet ngadalë drita e dites

Dhe kaltërsitë e qiellit e të ujvarave kridhen në muzg

Agimi i kuq përkundet nëpër kreshtat e valëve

Që ndjekin njëra-tjetrën hapësirave pa fund…

 

Kur mbi bronzin dhe granitin e kupolave të qytetit verior

Zbardh nata e bardhë boreale,

Dielli i Jugut ndez mirazhe fantastike

Në shkretëtirat e zhuritura tropikale…

 

Nga njëri pol në tjetrin, nga një gjerësi në tjetrën,

O, sa i madh e i pakufishëm është dheu ynë!

S’e zë dot muzgu agimin, s’e zë dot nata dritën,

Po trolli i tij i pakufishëm zvogëlohet si një grimë,

Sikur ta shohësh nga largësitë e tmerrshme të gjithësisë

Mes diejve dhe yjve që humbasin hapësirash pambarim,

Ku se zë dot bota botën, s’e zë dot drita dritën

Dhe kometa dot kometën s’e arrin…

*            *            *

Jam bir i tokës që është bijë e gjithësisë

Dhe ashtu siç është toka ime një grimcë në rruzullim,

Ashtu jam unë në gjirin e saj një pikë vesë e rime,

Jam një bulëz vese e mbushur me dritën e diellit,

 

Një bulëz vese e mbushur me lëngun e dheut,

Një bulëz vese e mbushur me kaltërsinë e qiellit.

Jam në mes të tokës dhe gjithësisë një rruazë vese e kuqe,

 

E kuqe që në fillim,

Që kur lindi njerëzimi,

Që në kohën e shpellave,

Që kur mbiu lisi;

Që në kohën e ushtarëve

E kam marrë dritën nga zjarri i diellit

Dhe ushgehem me zjarrin e tij,

Në perjetësi…

*            *            *

Unë jam fara që i dha lulëzim antikitetit,

Jam fara që çeli në poemat e Homerit

Dhe ne formulat e Pitagorës e të Arkimedit,

Fara që u korr me shpatë nëpër shekuj,

Që u gri nga breshëritë e mitralozëve

Dhe u varros në gropat e predhave,

Fara gë çel sytha në studiot e shkencëtarëve

Dhe që zbërthehet prej sinkronfazorëve…

Unë e gjej veten në të gjitha kohët,

E gjej veten në të gjitha elementet,

Përkundem në agimet e kuq, në hapësirat e oqeaneve

Dhe regëtij në kupolat e qyteteve, në netët polare…

*            *            *

Unë jam ylberi qeë lidh me nyje gjaku të gjitha racat,

Jam autostrada që largohet në thellësi të rrafsheve të pasosura

Dhe lidh shtetet e kontinentet e ndara,

Lidh qytetet dhe provincat e shpërndara,

Lidh kombet dhe qytetërimet e përçara

Dhe jam piramida dhe hendeku dhe barrikada

Ku ndahen në armiqësi të përjetshme klasat.

Unë jam kryengritja që nuk e ul kurrë flamurin e saj …

 

Dje lulëzoja nën hijen e ushtave,

Sot lulëzoj nën hijen e raketave,

Nesër do të lulëzoj nën dritën e plastmë të yjeve…

 

Unë jam pika e qumështit të kuq

Shtrydhur nga gjinjtë e gjithësisë,

 

Unë jam gjaku,

Jam njeriu,

Jam fantazia dhe arsyeja,

Jam forca dhe liria

Dhe i përmbledh në shpirtin tim të gjitha,

Të gjitha bukuritë,

Të gjitha fuqitë,

Të gjitha madhësitë…

 

© Pezia është marrë nga libri i Bilal Xhaferri, Vepra letrare 1, sjellë nën kujdesin e veçantë të studiuesit z. Bashkim Kuçuku.

Më 2 nëntor, përkujtojmë në 90-vjetorin e tij të lindjes, shkrimtarin më origjinal të shekullit të kaluar, Bilal Xhaferrin.

Leave a Reply