Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Në sallën e bibliotekës, u bënë bashkë si rrallëherë fëmijë të kopshteve të shoqëruar nga prindët dhe gjyshet e tyre. Ky bashkim brezash, ishte në fakt një homazh që i bëhej 90-vjetorit të përkthimit të parë në shqip të përrallave të Andersenit me titullin “Kallximet e Andersenit për shkolla e familje”. Fëmijët, të entuziasmuar recituan pjesë nga përrallat e tyre më të pëlqyera si dhe vjersha të ndryshme për fëmijë. Prindët risollën kujtimet e tyre kur ata vetë fëmijë dikur lexonin këto përralla që u zhvillonin imagjinatën dhe fantazinë. Emocionuese ishte momenti kur gjyshet në sallë rrëfyen kënaqësinë e pamatë që kishin kur u lexonin nipave e mbesave të tyre përrallat e Andersenit, pasi pas çdo përralle vinin pyetjet e fëmijëve, dhe kjo gjë forconte komunikimin dhe shtonte dashurinë mes tyre. Takimin e moderoi djali simpatik Eglis Toska i cili lexoi dhe pjesë nga përralla e tij e preferuar. Specialistja e bibliotekës, znj. Liljana Xhafa kishte përgatitur për të pranishmit një analizë interesante për përrallën “Shitësja e shkrepseve” duke e konsideruar mesazhin e saj si një reflektim për dashurinë dhe ndjeshmërinë ndaj njëri-tjetit. Në fund të takimit, fëmijët dhe prindët patën mundësinë të shikojnë ekspozitën me ilustrime nga përrallat e Andersenit si dhe vizatimet e fëmijëve frymëzuar nga këto përralla. Falënderojmë drejtoreshën e kopshtit nr.5, znj. Burbuqe Lala e cila me përgatitjen e fëmijëve krijoi një atmosferë të ngrohtë e miqësore në sallë.

https://www.facebook.com/share/p/1EwozBtRA5/

 

Më poshtë lexoni fjalën e msc. Liljana Xhafa.

Të nderuar miq të librit, çdo përrallë e Andersenit fsheh një mesazh të thellë njerëzor.

Kam zgjedhur të ndaj me ju një fragment nga përralla “Shitësja e vogël e shkrepeseve“, një nga përrallat më prekëse të tij, e cila edhe pas kaq vitesh, vazhdon të na ftojë të reflektojmë për dhembshurinë, dashurinë dhe përgjegjësinë ndaj njëri – tjetrit.

Bënte i ftohtë i madh. Dëbora binte dendur dhe ishte thuajse errësirë, teksa po binte mbrëmja. Mbrëmja e fundit e vitit. Në gjithë atë të ftohtë dhe errësirë, në rrugë ecte një vajzë e vogël, e ngratë, kokëjashtë dhe këmbëzbathur. Ishte e vërtetë që nga shtëpia kishte dalë me shapka, mirëpo ato i rrinin shumë të mëdha, sepse gjer pak më parë ato ishin të së ëmës. Vajza e vogël i humbi, ndërsa po kapërcente rrugën, kur dy karroca po lëviznin me shpejtësi skëterre…”

Kjo përrallë nuk flet vetëm për varfërinë materiale. Ajo na kujton varfërinë shpirtërore që lind kur shoqëria bëhet indiferente ndaj dhimbjes së tjetrit. Shkrepset që ndizte vogëlushja nuk i sillnin vetëm pak ngrohtësi, por ndiznin shpresën, dashurinë dhe kujtimet më të bukura.

Mesazhi i Andersenit mbetet i përjetshëm: Një shoqëri bëhet më njerëzore kur di të shohë, të dëgjojë dhe të ndihmojë më të pambrojturit.

Pikërisht për këtë arsye, përrallat e tij vazhdojnë të lexohen edhe sot, sepse ato edukojnë zemrën po aq sa dhe mendjen.

Leave a Reply