Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

“Rebeli” i Ilirit vjen në bibliotekë

Në sallën e bibliotekës u promovua libri më i fundit biografik për jetën dhe veprimtarinë e Nolit, në një titull sa interesant dhe intrigues “Rebeli”. Ky takim u moderua nga Hektor Çiftja i cili nëpërmjet pyetjeve pikante drejtuar autorit, zbuloi shumë detaje jo vetëm në lidhje me librin por dhe për qasjen që autori ka ndaj figurave historike, zbulimit të dokumenteve dhe fakteve të reja e të panjohura për ta si dhe trajtimit të tyre me paanësi dhe vërtetësi. Autori i librit, gazetari dhe studiuesi Ilir Ikonomi, u shpreh se ky libër është fryt i kërkimeve të gjata nëpër arkivat e botës; këto janë dokumente të grumbulluara prej kohësh e që janë konkretizuar në libër së fundmi. Në libër gërshetohen gazetari me historianin duke sjellë një libër ndryshe nga përmbajtja, trajtimi dhe stili i të shkruarit si dhe është një ftesë për ta parë Nolin jo vetëm si një personazh historik por edhe si një qenie njerëzore, me të mirat dhe të këqiat e tij, me ngjyra, jo bardhë e zi. “Rebeli” është vazhdim i vëllimit të parë dedikuar Nolit me titullin “Apostulli” dhe që shume shpejt do të pasohet nga një i tretë.
E falënderojmë autorin që zgjodhi bibliotekën tonë për këtë prezantim dhe i urojmë suksese të mëtejshme në punën e tij kërkimore. Libri sjell një mori detajesh të reja për Fan Nolin, që lexuesi i zbulon faqe pas faqeje, në këtë përshkrim të rrallë dhe befasues të njërës prej figurave më erudite dhe aktive shqiptare të shekullit të kaluar.

Leave a Reply