Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

“Shpirt i lirë në blerim pranvere”

Promovimi i librit me poezi “Shpirt i lirë në blerim pranvere” i autores Teuta Karance, solli në sallën e bibliotekës lexues të përhershëm të bibliotekës dhe anëtarë të klubit të letrarëve të qytetit. Ky libër është krijimtari me poezi dhe haiku. Teuta në poezinë e saj përdor krahasime dhe epitete shumëngjyrëshe për të përcjellë sa më qartë ndjenjat e saj më të thella e të pastra në lidhje me dashurinë për njerëzit, bukuritë e natyrës, të mirat e jetës dhe mirënjohjen për njerëzit që kanë lënë gjurmë në jetën e saj. Një pjesë e poezive i kushtohen nënës dhe kujtimit të familjarëve të humbur. Gama e tematikës së poezive të Teutës është e gjerë dhe e larmishme, duke filluar nga natyra dhe fenomenet e saj, e deri tek poezitë që trajtojnë problemet aktuale të shoqërisë. Krijimtaria e Teuta Karances përfshin dhe tituj të tjerë, si: “Përralla dhe poezi për fëmijë”, “Kur je femër, grua”, “Sa të dua ty, oj Tiranë”, “Mos ik moj ëndërr”. Në librin e saj të parë “Rrëfime, mbresa dhe kujtime” autorja tregon ngjarje të jetuara të cilat vijnë shumë reale, të vërteta, me një natyrshëmri ashtu siç kanë ndodhur dhe janë ngulitur në kujtesën e saj, që nga fëmijëria e në të gjitha etapat e jetës. Kujtimet e saj ajo i ndërthur edhe me ngjarje të ndryshme politike dhe historike, jo vetëm për qytetin e Elbasanit si qytet i traditës së kulturës dhe arsimit, por edhe për vendlindjen e saj Gjirokastrën, si dhe për qytete të tjera ku ajo ka kaluar pjesë nga jeta e saj. Nëpërmjet këtyre kujtimeve apo rrëfimeve lexuesit njihen me të gjitha problematikat e një familjeje të thjeshtë të shoqërisë sonë si dhe me përpjekjet dhe vullnetin për të përballuar jetën dhe për të siguruar një të ardhme të denjë për fëmijët nëpërmjet shkollimit, edukimit, arsimit dhe dashurisë dhe mbështetjes në gjirin familjar.

#autoreelbasanas #promovojmeautoreshqiptare #bibliotekapublikelebasan #teutaganxokarance

Leave a Reply