Në vazhdën e aktiviteteve të Festivalit Ndërkombëtar Teatror “Skampa”, një nga më domethënësit kulturorë të sezonit u zhvillua sot në ambientet e Bibliotekës Publike “Qemal Baholli” në Elbasan. Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocione, u promovua libri më i ri i autorit të njohur, Miho Gjini, me titullin “Brezi i tretë i aktrimit” – një vepër që hedh dritë mbi artistët e rinj që po formësojnë të ardhmen e skenës shqiptare.
Pas 65 vitesh të pandërprera në shërbim të artit dhe letërsisë, ky “Mjeshtër i Madh” i kulturës sonë, me një kontribut të pakrahasueshëm në kritikën letrare, teatrale dhe studimet kulturore, vjen me botimin e tij të 38-të. Kjo vepër nuk është vetëm një akt krijimtarie, por mbi të gjitha një dëshmi dashurie, përkushtimi dhe mirënjohjeje për magjinë e quajtur TEATËR, siç e quan vetë autori. Libri “Brezi i tretë i aktrimit” është konceptuar si një mozaik portretesh, përkushtimesh dhe analizash për 25 artistë të rinj të skenës dhe ekranit shqiptar. Ata janë përfaqësuesit më premtues të brezit të ri – “yjet e brezit të tretë në qiellin e aktrimit shqiptar”, siç i përshkruan me dashuri dhe vlerësim Gjini. Artistë të cilët, përmes punës së tyre në teatrot kombëtare dhe lokale, në ekranin e madh e të vogël, kanë nisur të lënë gjurmë në kujtesën artistike të publikut. Libri mbart një vlerë të dyfishtë: nga njëra anë është një vlerësim për individët që përfaqësojnë gjallërinë dhe shpirtin e skenës së re, ndërsa nga ana tjetër, është një arkivim i kujtesës teatrore, që ruan me përkushtim e pasion trashëgiminë dhe identitetin e teatrit shqiptar. Përmes stilit të tij të përpunuar dhe analizës së thellë, Gjini i sjell lexuesit një tablo të gjallë dhe reflektuese të realitetit artistik në vend, duke i parë këta aktorë të rinj jo thjesht si emra të rinj, por si pasardhës të një tradite të gjatë artistike, që meriton të ruhet, të mbështetet dhe të zhvillohet. Ky botim vjen në një kohë kur nevoja për dokumentim artistik, kritikë të mirëfilltë dhe promovim të talenteve të reja është më e domosdoshme se kurrë. Miho Gjini, me përvojën dhe qasjen e tij të thellë studimore, ofron një pikë referimi të paçmueshme për studiuesit, artistët, studentët e artit dhe për publikun që e ndjek teatrin me dashuri e interes.
